Rajoni

Masakra e Cetinjës, konflikti për qiranë/Tre ditë zie në Malin e Zi!

Në Malin e Zi sot është ditë zie, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviç shpalli tre të tilla pas masakrës së djeshme në Cetinjë, ku u vranë 11 persona, përfshirë agresorin. Në mesin e viktimave janë edhe dy fëmijë. Gjashtë vetë po trajtohen në spital, tre në gjendje kritike për jetën.

Pas tragjedisë, drejtori i policisë, Zoran Bërgjanin informoi se rreth orës 15:30 të datës 12 gusht, 34-vjeçari me inicialet V.B nga Cetinja qëlloi me armë në drejtim të një familjeje, anëtarët e të cilës ishin qiramarrës në shtëpinë e tij, në fshatin Medovina. Me një pushkë gjuetie iu mori jetën dy të miturve të moshave 8 e 11-vjeç. Ai plagosi edhe nënën e tyre, e cila vdiq në spital ku nuk iu mbijetoi plagëve të marra.

Më pas, doli jashtë e qëlloi banorë të lagjes, duke iu shkaktuar vdekjen e menjëhershme shtatë personave. Nga shkëmbimi i zjarrit u plagos rëndë një polic. Dy nga të lënduarit trajtohen në spitalin e Cetinjës, katër të tjerë, në Podgoricë. Motivet lidhen me një konflikt për qiranë e banesës në pronësi të Vuk Boriloviçit. Ky i fundit u ekzekutua nga fqinji,  Nenad Neno Kaluđerović dhe jo nga policia.

I tronditur, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha se “vrasjet nga të shtënat me armë zjarri, përbëjnë tragjedinë më të rëndë në kujtesën kolektive të malazezëve”, si dhe kishte një apel kur në një postim në Telegram, shefi i qeverisë së Podgoricës shkroi:

U bëj thirrje të gjithë shtetasve të Malit të Zi, të qëndrojnë pranë familjeve të viktimave të pafajshme, të afërmve të tyre, miqve e qytetarëve të Cetinjës.

Padyshim që kjo e Cetinjës ishte ngjarja më fatale e regjistruar në dekadat e fundit në Mal të Zi, ndërsa vendi fqinj është në kulmin e sezonit turistik. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e rrethanat e masakrës tronditëse.