Rajoni

Masakra me 8 viktima e 14 të plagosur në tre fshatra të Beogradit, ende asnjë motiv për sulmin!

Nga autoritetet serbe ende nuk ka një motiv për sulmin e fundit, i dyti në dy ditë në Serbi me armë zjarri, me 8 viktima e 14 të plagosur. Masakra me autor një shtetas me iniciale U.B, i lindur në vitin 2002 dhe i arrestuar pas disa orësh arrati pranë Kragujevcit ndodhi mbrëmë vonë në tre fshatra të Beogradit, Dubona, Mallo Orashje e Shepshin. “Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të ngjarjes”, – thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme serbe. Agresori hapi zjarr me automatik pas debatit me një oficer të policisë, në një park të Dubonës.

Tre nga të plagosurit iu nënshtruan ndërhyrjes urgjente në spital. Instituti për Transfuzionin dhe Ministria e Shëndetësisë iu bëjnë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak. Ministri i Brendshëm, Bratisllav Gashiç foli për “akt terrorist”.

Dy ditë më parë ishte një 13-vjeçar, i cili me armën e babait hapi zjarr në oborrin e shkollës ku mësonte në Beograd dhe vrau 8 nxënës e rojen e sigurisë, si dhe plagosi disa vetë para se të ndalohej. Serbia është ndër vendet e Europës me numrin më të lartë të personave që mbajnë armë. Qeveria planifikon rishikim të lejeve ekzistuese të tyre.

Figura të politikës europiane reaguan duke dënuar sulmet e dy ditëve të fundit në Serbi me 17 viktima. Ata shprehën ngushëllime për të prekurit nga tragjeditë.

Në Twitter, Josep Borell, kryediplomat i Bashkimit Europian shkruan:

Një tjetër rast i të shtënave masive në Serbi, me njerëz të pafajshëm të vrarë. Kjo është një tragjedi tronditëse, e tmerrshme. Ne ndjejmë dhimbjen dhe qëndrojmë me popullin e Serbisë në këto momente të vështira.

Edhe eurokomisioneri i për Fqinjësinë e Zgjerimin, Oliver Varhelyi bëri thirrje për ndalim të dhunës.

I dërgoj ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe mbarë kombit të Serbisë. Gjithashtu uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Kjo dhunë duhet të marrë fund tani!

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian, Vladimir Bilçik bëri thirrje për hetim të plotë të ngjarjeve të tmerrshme dhe “vendosje të plotë të drejtësisë”.