Bota

“Mbiu” papritur në plazh, zgjidhet misteri i topit gjigant në Japoni

Sfera misterioze metalike që u “mbiu” në një plazh në Japoni duke shkaktuar frikë tek vendasit mund të jetë thjesht një pjesë e pajisjeve të zakonshme detare.

Ky top metalik me diametër rreth 1.5 metër që u gjet në plazhin Enshu në qytetin bregdetar të Paqësorit të Hamamatsu i detyroi plazhistët të evakuohen menjëherë dhe autoritetet të nisin hetimet.

Por topi ka një ngjashmëri të habitshme me një vozë çeliku të bërë nga kompania kineze e ndërtimit të anijeve Nantong Yangfan. Kjo vozë përdoret për të drejtuar marinarët ose për të shënuar pozicionet në oqean. Kompania është e vendosur në provincën bregdetare të Kinës Jiangsu në Kinën lindore, duke mbështetur argumentet se sfera metalike thjesht u shkëput dhe lundroi në lindje drejt Japonisë.

Të martën, autoritetet japoneze vendosën skuadra për asgjësimin e “bombës” në vijën bregdetare mes frikës fillestare se mund të ishte një minë detare. Ata ndërtuan një perimetër prej 600 metrash rreth vendit të ngjarjes dhe penguan hyrjen e publikut. Por një rreze X e objektit zbuloi se guaska e saj metalike e ndryshkur ishte thjesht një shtresë e jashtme.

Nuk kishte asnjë indikacion se ishte një mjet vëzhgimi ose spiunazhi i vendosur nga armiqtë e afërt Kina dhe Koreja e Veriut. Hetuesit në vendngjarje morën disa fotografi të sferës dhe thanë se i kishin dërguar pamjet rojes bregdetare dhe forcave të armatosura për inspektim dhe ekzaminim të mëtejshëm.