Bota

Më e fortë se lufta, në një rifuxho antiajrore në Kiev lindi vogëlushja Mia!

Një 23-vjeçare ukrainase u bë nënë në rrethana të pazakonta. Në një rifuxho antiajrore në Kiev, ku popullata detyrohet të qëndrojë sa herë që bien sirenat e alarmit, e reja lindi vajzën e saj, Mia. Fotoja e të porsalindurës po bën xhiron e botës dhe ofron një rreze shprese në një moment të tillë, kaq të errët.

Siç bën të ditur britanikja “Daily Mail”, policia ukrainase dëgjoi të bërtiturat e një gruaje dhe pasi e ndihmuan të lindte, njoftuan autoambulancën. Nëna e fëmija u dërguan në spital e raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Vogëlushja lindi mbrëmë rreth orës 20:30 minuta, në ditën e dytë të pushtimit rus të Ukrainës, por që për Moskën është “operacion ushtarak për çmilitarizimin e vendit”. Pavarësisht lindjes së vështirë, padyshim që 23-vjeçarja ndihet shumë e lumtur për ardhjen në jetë të vogëlushes e që fatmirësisht, gjërat shkuan mjaft mirë për të.

Një tjetër mes historive të shumta që vijnë nga Ukraina ishte edhe ajo e dy të rinjve, 21-vjeçares Yarna Arieva dhe të fejuarit Sviatoslav Fursin, 24-vjeç. Ata u njohën në tetor të 2019-ës, gjatë një manifestimi në Kiev. Për më 6 maj kishin planifikuar ditën e dasmës, por lufta nuk pyet për planet dhe i rrëzon ato.

Për këtë arsye, më 24 shkurt, në ditën e parë të agresionit rus, me në sfond alarmin e sirenave në vend të muzikës, ata u martuan. Prekëse fjalët e Yarnas:

Gjendja është shumë e vështirë. Ne do të luftojmë për tokën tonë! Mund të vdesim në luftë dhe donim të ishim bashkë!

Pas ceremonisë që i bashkoi në martesë si burrë e grua, çifti iu drejtua Qendrës së Mbrojtjes Territoriale dhe dje në Facebook, dyshja publikoi foto me armë në duar.

E para foto familjare pas martesës, në ditën e dytë të luftës. E vërteta do të mbizotërojë!