Kryeministri britanik, Keir Starmer shprehu interes për marrëveshjen e emigracionit Itali-Shqipëri. Kjo u tha nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, teksa Mbretëria e Bashkuar u zotua të dërgojë 4 milion paund për të mbështetur planin e vendit kundër emigracionit të parregullt.
Gjatë vizitës në Romë, Starmer foli për rëndësinë e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë, por theksoi se është më i interesuar mbi strategjinë e Italisë për të ndaluar emigrantët të shkojnë në vend se për marrëveshjen e saj me Shqipërinë, që është disa javë larg përfundimit.
Do të duhen edhe disa javë që gjithçka të jetë e përsosur. Do të kisha preferuar që të kishte filluar më herët. Sytë e botës janë përqendruar në këtë iniciativë. Nuk i kam problem kritikat. Modeli që qeveria italiane ka projektuar si qendër për përpunimin e kërkesave për azil nën juridiksionin italian dhe europian në një vend të huaj, nuk ishte provuar më parë. Nëse funksionon dhe besoj se do të funksionojë, të gjithë do të kuptojnë se ekziston një mënyrë edhe për elementin e frenimit të grupeve kriminale.
Emigracioni ishte në krye të diskutimeve gjatë këtij takimi, teksa miliona paundët që Britania e Madhe do t’i dërgojë Italisë pritet të kontribuojnë në projektin e qeverisë italiane për të trajtuar shkaqet rrënjësore të emigracionit të parregullt.
Asnjë komb në vetvete nuk mund të jetë efektiv në çmontimin e rrjetit të trafikimit të qenieve njerëzore. Do të gjejmë një mënyrë të strukturuar që agjencitë e zbatimit të ligjit të të dy vendeve të punojnë së bashku, tha Meloni në konferencën për shtyp.
Duke reflektuar diskutimet për marrëveshjen me Shqipërinë, Meloni tha:
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka treguar interes të madh për këtë marrëveshje dhe të dy vendet donin të përmirësonin këtë marrëdhënie shumë të mirë midis Italisë e Britanisë së Madhe, si dhe të rrisin bashkëpunimin me BE-në.
Starmer vlerësoi “përparimin e qeverisë italiane në uljen e numrit të emigrantëve të paligjshëm”.
Ne jemi pragmatistë, para së gjithash. Kur shohim një sfidë, diskutojmë me miqtë dhe aleatët tanë qasjet e ndryshme që po ndërmerren. Shikojmë se çfarë funksionon dhe kjo është qasja që kemi marrë sot. Dhe ka qenë një ditë shumë produktive.
“Ata ranë dakord të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të përmirësuar bashkëpunimin tonë ndërkufitar, duke mësuar nga suksesi i Italisë në reduktimin e migracionit të paligjshëm me 60% në vitin e fundit, nëpërmjet punës dhe zbatimit në rrjedhën e sipërme”, tha një zëdhënës i Downing Street.
Takimi i kryeministrit britanik me homologen italiane erdhi pas vizitave të tij në Berlin, Paris e Dublin, si pjesë të përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe bashkërendimin për t’u përballur me çështjen e emigracionit.