Presidenti i Republikës shpreh gatishmërinë e tij për të garantuar votën e lirë në zgjedhjet e 25 prillit. Pas një takimi me ambasadoren Ursula Gacek e cila drejton Misionin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për votimet parlamentare, Ilir Meta deklaroi se ka folur edhe për krimin zgjedhor.
Do të ndalim me çdo kusht dhe mjet që presioni i krimit dhe shantazhi mbi qytetarët të minojë zgjedhjet, të shkatërrojë demokracinë dhe të ardhmen europiane. Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për të siguruar paprekshmërinë e zgjedhjeve të vullnetit të sovranit.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë u apeloi të gjithë të rinjve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës për të ndryshuar të ardhmen e tyre. Luigi Soreca deklaron se ata kanë fuqinë që përmes votës të vendosin atë që duan, ndaj shton se kjo mundësi nuk duhet shpërdoruar.
Gjatë një aktiviteti për programin e Erasmus në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Soreca saktësoi se të rinjtë shqiptarë duhet të ndryshojnë vendin e tyre përmes zgjedhjeve që ta bëjnë vet të ardhmen dhe jo të largohen nga Shqipëria.