Bota

Hungari, parlamenti miraton ndryshimet kushtetuese/I hap rrugë shkarkimit të presidentit!

Parlamenti i Hungarisë votoi për shkarkimin e presidentit Tamás Sulyok, i konsideruar një aleat i afërt i ish-kryeministrit Viktor Orbán, pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re të drejtuar nga Péter Magyar.

Partia në pushtet Tisza, që fitoi zgjedhjet e 12 prillit me një shumicë prej dy të tretash, miratoi amendamentin e 17-të të Kushtetutës. Me këtë ndryshim i jepet fund mandatit të presidentit Sulyok, si edhe atij të kreut të Gjykatës Kushtetuese, Péter Polt.

Vendimi shënon një nga zhvillimet më të rëndësishme politike në Hungari që nga marrja e pushtetit nga qeveria e re në fillim të muajit maj, pas humbjes së Fidesz, partisë së Viktor Orbán, që kishte qeverisur vendin për 16 vjet.

Sipas procedurës kushtetuese, Sulyok ka pesë ditë kohë për të firmosur amendamentin ose për ta dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kryeministri Péter Magyar ka paralajmëruar se nëse presidenti zgjedh opsionin e dytë do të nisë procedurat për shkarkimin e tij, çka do ta pezullonte automatikisht nga detyra.

Një alternativë tjetër për presidentin është dorëheqja, një hap që qeveria e re e ka kërkuar për të shmangur një krizë kushtetuese.

Deputetët e partisë opozitare Fidesz braktisën sallën e Kuvendit para votimit, duke akuzuar qeverinë se po ndërton një regjim autoritar. Sipas tyre, ndryshimet kushtetuese i japin qeverisë kompetenca të tepërta për të shkarkuar zyrtarë publikë.

Amendamenti përfshin edhe masa të tjera, si largimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që kanë mbushur moshën 70 vjeç dhe ndalimin e rikandidimit për deputetët që kanë shërbyer tre mandate parlamentare. Kjo dispozitë prek më shumë se gjysmën e deputetëve aktualë të Fidesz.

Qeveria e Péter Magyar-it argumenton se ndryshimet janë të nevojshme për të çmontuar strukturat e ngritura gjatë viteve të qeverisjes së Viktor Orbán dhe për të përgatitur terrenin për miratimin e një kushtetute të re brenda dy ose tre viteve të ardhshme.