Bota

“Mos i përbuzni…”/Papa Françesku vjen me një mesazh për prindërit e fëmijëve homoseksualë!

Papa Françesku së fundmi ka dalë me një thirrje të veçantë. Kreu i Vatikanit u kërkoi prindërve të fëmijëve homoseksualë që të mos i përbuzin apo dënojnë ata, por t’u ofrojnë mbështetje. Kreu i Kishës Katolike shprehu se:

Prindërit që shohin orientim seksual ndryshe tek fëmijët e tyre dhe si të përballen me një fenomen të tillë, duhet t’i shoqërojnë fëmijët dhe jo të fshihen pas një qëndrimi dënues.

Papa Françesku më herët tha se homoseksualët kanë të drejtë të pranohen nga familjet si fëmijë dhe vëllezër e motra. Ati i Shenjtë shtoi se derisa Kisha nuk mund të pranojë martesa të së njëjtës gjini, mund të mbështesë ligje të bashkimeve familjare me synim që partnerët homoseksualë të kenë të drejta të përbashkëta në fushën e pensioneve dhe përkujdesjes shëndetësore dhe në rastet e trashëgimisë.

Vitin e kaluar, zyra doktrinore e Vatikanit lëshoi një dokument që thonte se priftërinjtë katolikë nuk mund të bekojnë çiftet e së njëjtës gjini, një vendim që zhgënjeu shumë katolikët homoseksualë. Në disa vende, si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, famullitë dhe priftërinjtë kishin filluar të bekonin bashkimet brenda së njëjtës gjini në vend të martesës dhe ka pasur thirrje që peshkopët t’i institucionalizojnë de fakto këto.

Konservatorët në Kishën prej 1.3 miliardë anëtarësh kanë thënë se Papa, i cili u ka dërguar nota vlerësimi priftërinjve dhe murgeshave që u shërbejnë katolikëve homoseksualë, po jep sinjale të përziera mbi homoseksualitetin, duke hutuar disa nga besimtarët.

Rikujtojmë, se së fundmi, Papa Françesku ka inkurajuar të gjithë çiftet e martuara të mirëpresin fëmijë në jetën e tyre, nëpërmjet lindjes natyrale ose birësimit, në vend që të blejnë më shumë qen dhe mace. Papa u shpreh në Vatikan se:

Shumë çifte nuk kanë fëmijë sepse nuk duan, ose duan vetëm një dhe jo më shumë por kanë mace dhe qen që zënë vendin e fëmijëve. Ky mohim i amësisë dhe atësisë të pakëson, na merr njerëzimin.