Auto & Moto Bota

Musk ndërron mendje, makinat Tesla do të reklamohen!

Shefi i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka bërë të ditur se do të nisë reklamimin e makinave, për të parë nëse funksionon apo jo një gjë e tillë, pra a do të ketë ose jo rezultat. Në të kaluarën, Tesla nuk e ka shfrytëzuar kurrë formën e reklamimit tradicional për të vënë në pah makinat e saj. Miliarderi Musk ka vënë në dukje se është “ironi” që si shef i Tesla-s, tani ai ka në pronësi edhe platformën sociale, Twitter.

Ky rrjet social varet shumë nga reklamat e së shpejti do të udhëhiqet nga një grua, e cilësuar veterane në fushën e reklamave, Linda Yaccarino. Në një takim me aksionerët e Tesla-s në Teksas, Elon Musk u shpreh:

Më duket se duhet të them që reklamimi është fantastik dhe që secili duhet ta bëjë! Ne do të provojmë pak reklamim dhe të shohim si do të jetë ecuria.

Ky veprim sjell në vëmendje përpjekjet e tij për të rritur besimin e investitorëve në kompaninë për prodhimin e makinave e kjo në kohën kur rritja e konkurrencës dhe ngadalësimi ekonomik kanë ndikuar në uljen e çmimeve në Tesla.

Prej periudhës kur Elon Musk bleu Twitter-in, në muajin tetor të vitit të kaluar, reklamuesit i kanë ikur kësaj platforme, të shqetësuar se reklamat e tyre mund të shfaqen me përmbajtje jo të duhur, meqë kompania e ka humbur 80 për qind të stafit.

Musk u ka rezistuar reklamave për vite me radhë. Madje, më 2019-ën ai pati thënë se “e urren reklamimin” dhe se ata duhet që t’i përdorin ato para’ për t’i bërë produktet më fantastike.

Por, një ditë më parë tregoi ndryshim të qëndrimit të deritanishëm kur u shpreh se janë shumë njerëz nuk e dinë sa të përballueshme janë makinat e Tesla-s dhe se çfarë mekanizma “mahnitës” të funksionimit kanë ato.