Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Los Angeles, ku këngëtari i njohur D4vd është arrestuar në lidhje me vdekjen e një adoleshenteje.
Sipas Los Angeles Police Department, artisti 21-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, u arrestua më 16 prill dhe aktualisht po mbahet pa mundësi lirimi me kusht.
Autoritetet bëjnë me dije se çështja do t’i paraqitet Prokurorisë të hënën, e cila do të vendosë nëse ka prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave zyrtare.
Burke u arrestua në zonën e Hollywood Hills, ndërsa burime pranë hetimit kanë deklaruar se ai nuk ka qenë bashkëpunues gjatë procesit hetimor.
Nga ana tjetër, avokatët e tij kanë mohuar kategorikisht përfshirjen në vdekjen e vajzës, duke theksuar se klienti i tyre është vetëm nën dyshim dhe ndaj tij nuk është ngritur ende asnjë akuzë.
Ngjarja tronditëse daton më 8 shtator 2025, kur trupi i pajetë i Celeste Rivas Hernandez u gjet në bagazhin e një Tesla të sekuestruar, të regjistruar në emër të këngëtarit.
Automjeti ishte raportuar i braktisur në Hollywood Hills prej rreth një muaji, ndërsa policia ndërhyri pas ankesave për një erë të rëndë që vinte nga makina.
Sipas autoriteteve, viktima dyshohet se kishte ndërruar jetë prej disa javësh para se të gjendej. Shkaku dhe mënyra e vdekjes vijojnë të jenë nën hetim, ndërsa dosja është klasifikuar si një çështje e mundshme vrasjeje.
Hetimet janë në vijim, ndërsa rasti pritet të marrë zhvillime të reja në ditët në vijim.