Aktualitet

Nafta zbret në bursë, por Bordi i Transparencës e ul me vetëm 1 lekë!

Bordi i Transparencës ka vendosur që nafta nga dita e sotme të shitet me 220 lekë/litri nga 221 lekë/litri ndonëse çmimi i naftës bruto në bursën ndërkombëtare ka zbritur në nivelin më të ulët me 94 dollarë/fuçia. Ndërsa benzina ka pësuar ulje prej 8 lekësh dhe nga sot do të tregtohet me 199 lekë/litër. Ndërsa çmimi i gazit, për herë të parë pas shumë muajsh, është ulur me vetëm 1 lek. Pas rënies së naftës bruto për herë të parë në nivelin që kishte në fillim të luftës në Ukrainë, reagoi edhe Konfindustria duke kërkuar që Bordi i Transparencës të ulte çmimin e karburantit, nën 200 lekë për litër, pasi prej ditësh nafta në bursë është nën 95 dollarë fuçia. Por sipas Bordit të Transparencës jo të gjitha lëvizjet e naftës bruto reflektohen në bursën e gazoilit.

“Bordi i përmbahet  me përpikëmëri lëvizjes së bursës PLATS të Mesdheut për gazoilin,benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve. Jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet  në bursën PLATZ të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit”, thotë Bordi.

Po ashtu bordi rikujton se brenda çmimit të karburantit në vend janë të përfshira edhe marzhet e fitimit.

Çmimet e reja do të futen në fuqi nga ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Çdo biznes i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.