Karburantet kanë pësuar një tjetër ulje të çmimeve në vend pas vendimit më të fundit të Bordit të Transparencës.
Sipas vendimit, çmimi i naftës do të ulet me 4 lekë dhe do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 191 lekë për litër, nga 195 lekë që ishte vendosur në mbledhjen e 23 majit. Ndërkohë, benzina do të shitet me një çmim maksimal prej 176 lekësh për litër, ose 6 lekë më pak se çmimi i mëparshëm prej 182 lekësh.
Edhe në tregun me shumicë janë reflektuar ulje. Çmimi tavan i naftës është vendosur 179 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës 164 lekë për litër.
Vendimi hyn në fuqi të martën, më 2 qershor, në orën 15:00 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut se zbatimi i çmimeve të përcaktuara është i detyrueshëm, ndërsa për shkeljet parashikohen masa deri në pezullimin e aktivitetit.
Njoftimi i plotë për shtyp
“Bordi i Transparencës në datë 2 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 191 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 179 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 176 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 2 ora 15.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 96 lekë.”