Tech

Ndryshimi tjetër i madh nga WhatsApp është ‘rrugës’…

Miliona njerëz në botë dërgojnë dhe marrin me miliarda mesazhe gjatë ditës me aplikacionin WhatsApp, i cili është duke bërë gati një ndryshim të madh. WABetaInfo ka zbuluar se aplikacioni në pronësi të META-s po punon për të bërë të mundur përdorimin e tij edhe pa numër telefoni. Përdoruesi do të jetë në gjendje të vendosë një emër unik dhe ta përdor atë pa pasur nevojë për një numër telefoni.

“Për këtë ndryshim është ende duke u punuar dhe nuk është akoma gati për përdoruesit. Kjo do t’i japë mundësi përdoruesve që të mos zbulojnë numrat e tyre të telefonit kur komunikojnë me bizneset”, shkruan WABetaInfo. Whatsapp, gjithashtu ka prezantuar së fundmi mundësinë për të redaktuar mesazhet pas dërgimit. Lajmi është zyrtar dhe është konfirmuar nga Mark Zuckerberg, në një postim të publikuar në faqen e tij në Facebook. Ndërkaq, ai ka shkruar se:

Tani mund të redaktoni mesazhet tuaja WhatsApp deri në 15 minuta pasi të jenë dërguar.

Rikujtojmë, se kompania Meta, që ka në pronësi Facebook-un, është gjobitur me një shifër rekord prej 1.2 miliard eurosh, për shkak të transferimit të të dhënave të përdoruesve të Bashkimit Evropian në Shtetet e Bashkuara.