Rajoni

Në kufirin me Kroacinë, Serbia bllokon autobusë me udhëtarë nga Kosova!

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli bëri të ditur se që nga mesnata, autoritetet në Serbi “po mbajnë të bllokuar” të paktën katër autobusë me targa dhe udhëtarë nga Kosova. Sipas tij, bllokimi i autobusëve në pikëkalimin kufitar Batrovci e që lidh Serbinë me Kroacinë, është bërë “në shenjë hakmarrjeje dhe nervozizmi absurd” ndaj votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Në llogarinë personale në Facebook, Fatmir Haxholli shkruan:

Bllokimi i më shumë se 300 qytetarëve duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit është një shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut, të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin “ky është një urdhër nga Beogradi”.

Haxholli konfirmoi edhe se Zyra Ndërlidhëse serbe është duke komunikuar me atë Ndërlidhëse të Kosovës, duke shtuar se synon që të udhëtojë drejt pikëkalimit kufitar Serbi-Kroaci për të parë nga afër gjendjen e qytetarëve të Kosovës që po qëndrojnë të bllokuar atje.

Një ditë më parë, në një votim të cilësuar “historik” e të përshëndetur gjerësisht nga Prishtina e po ashtu Tirana zyrtare, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Tani, çështja do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e që mblidhet në muajin maj. Eshtë ky institucioni që jep përgjigjen përfundimtare në lidhje me anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

Serbia kundërshton fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç reagoi pas votimit. Ai paralajmëroi se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës në datën 16 maj 2024.

Edhe në të kaluarën nuk kanë munguar raste të ngjashme. Siç duhet, qytetarët të Kosovës të cilët kalojnë përmes territorit të Serbisë kanë hasur në probleme të ndryshme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe edhe nën dyshimet apo pretendimet për përfshirje në krime lufte.