Botë e Çuditshme Design

Nëse doni të ndiheni sikur jeni në sheshxhirimin e “Squid Game”, ka një vend që mund ta vizitoni!

Seriali i Koresë së Jugut, “Squid Game” ka arritur një popullaritet shumë të madh që nga publikimi në Netflix muajin e kaluar. Për të gjithë ata që ende nuk e kanë parë, seriali është një ‘thriller’ i mbijetesës i vendosur në Seulin e sotëm, ku një grup prej 456 personash janë të ftuar të luajnë një seri lojërash për fëmijë me mundësinë për të fituar një shumë të madhe parash por nëse humbin në lojë, humbin jetën.

Megjithëse ka aq shumë gjëra për të dashur te ky serial, një gjë që bie në sy është dizajni mahnitës i setit. Ekipi që u mor me krijimin e serialit kishte një buxhet shumë miliona dollarësh për të krijuar arenën ku konkurrentët do të luanin për të mbijetuar dhe për të fituar një çmim të majmë parash.

Drama zhvillohet në një ishull të paidentifikuar në brigjet e Koresë së Jugut, ndërsa secila lojë zhvillohet në dhoma të ndryshme, të projektuara në mënyrë të veçantë. Një sheshxhirim unik që bie në sy janë shkallët e një korridori në ishull, që personeli i maskuar i përdor për të transportuar garuesit midis dhomave të tyre të fjetjes dhe dhomave ku mbahen sfidat.

Por nëse jeni fansa të këtij seriali ose nëse dëshironi që të ndiheni sikur jeni në setin e “Squid Game”, ekziston një rezidencë pushimi në Spanjë që mund ta vizitoni. Regjisori Hwang Dong-hyuk, tha në një intervistë se shkallët e ndërthurua me ngjyra të ndezura u frymëzuan nga pjesa e artit, “Relativiteti” nga M.C.Escher. Ky resort në Spanjë duket tamam kopje e setit nga seriali, i cili gjendet në qytetin Alicante, dhe përbëhet nga 50 apartamente unike të lidhura me një numër shkallësh shumëngjyrëshe.

Ky kompleks apartamentesh moderne është projektuar nga artisti i njohur spanjoll, Ricardo Bofill. Shumë nga apartamentet janë në pronësi të banorëve dhe objekti ka dyqane, një sauna dhe një restorant të gjitha në nivelin e parë, po ashtu dhe një pishinë në tarracën e çatisë.

“Squid Game” tregon historinë e një grupi garuesish që bien dakord të marrin pjesë në një lojë misterioze të mbijetesës me një çmim të përgjithshëm prej gati 40 milion dollarë. Loja përfshin qindra garues që luajnë lojëra tradicionale për fëmijë me kthesa vdekjeprurëse. Shikuesit dhe kritikët i janë përgjigjur pozitivisht këtij seriali.

Megjithatë, shkollat ​​po paralajmërojnë prindërit që të mos i lënë fëmijët e tyre të shikojnë serialin e Netflix-it, pasi disa nxënës u panë duke imituar skena të njëjta si në serial. Shfaqja e diskutueshme tani ka ndikuar që shkollat t’iu kërkojnë prindërve të monitorojnë atë që fëmijët e tyre po shikojnë mes frikës së imitimit të personazheve të serialit.