Rajoni

Nesër takimi me Kurtin për targat, Vuçiç: Nuk jam optimist!

Presidentit i Serbisë, Aleksander Vuçiç nuk është optimist për takimin e nesërm në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Për televizionin Prva, u shpreh:

Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet, se nuk dëshiron të bëjë asgjë.

Vuçiç konfirmoi se takimi fillon në orën 08:00 të mëngjesit e ripërsëriti kushtet e Serbisë:

Duhet të formoni asociacionin e komunave me shumicë serbe e duhet të anuloni vendimin për targa!

Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të qeverisë së Kosovës planifikohet të fillojë zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Kjo fazë përfshin gjobë 150 euro.

Nga 1 nëntori kur qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës e Serbisë janë rritur. Plani përcakton që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në të Kosovës, deri më 21 prill 2023. Janë rreth 9 mijë makina me të tilla targa në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, vazhdimisht i kanë kërkuar qeverisë ta shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave me targa ilegale.

Shumica e serbëve në veri kundërshtojnë targat që lëshon Republika e Kosovës, duke kërkuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Në shenjë kundërshtimi, nga 5 nëntori, serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan.

Po ashtu, partnerët ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje Kosovës që urgjentisht të nisë negociatat për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve. Synohet që bisedimet e nisura në vitin 2011, të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e të dy palëve mbeten larg.