Aktualitet

Nga nesër, avokatët në bojkot pa afat!

Avokatët vazhdojnë të kundërshtojnë hartën e re gjyqësore me një apel dhe 13 gjykata të shkallës së parë, duke vendosur bojkot pa afat të seancave gjyqësore, si dhe për 10 ditë të masave të sigurisë.

Afati i bojkotit për masat nis nga nesër 30 qershor e në ditët në vijim deri në kthimin pas të draftit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia e cilësoi “të papranueshëm” këtë draft, ndërsa tha se “vendimi është i të gjithë avokatëve dhe i pa ndikuar prej tij”.

Pak ditë më parë ishte Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokurori i Përgjithshëm që dhanë pëlqimin e tyre për këtë hartë, ndërsa e quajtën si më të përshtatshmen, në situatën aktuale ku ndodhen gjykatat dhe prokuroritë. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja vuri në dukje se “avokatët duhet ta kundërshtojnë hartën në gjykatë, në rast se nuk janë dakord me të”. Pro hartës kanë dalë edhe gjyqtarët, të cilët nëpërmjet shoqatës së tyre dhanë pëlqimin për miratimin.

Pritet që nëpërmjet një vendimi, qeveria të miratojë propozimin e këshillit të lartë gjyqësor. Aktualisht Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnjë, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia ka thënë se i vjen për të qeshur pasi e kishte menduar që mbledhja do të anulohej që kur u shty herën e parë.

Të hënën që kaloi ishim lajmëruar që të nesërmen do të ishim në një dëgjesë në Komisionin e Ligjeve për qëndrimin tonë. Çuditërisht ishte dhe e habitshme, pati një telefonatë nga kryetarja e Komisionit, e cila më tha se mbledhja ishte shtyrë për këtë të hënë sepse materiali ishte nisur në prokurori e KLP e kishin planifikuar që të ishin dhe ata në dëgjesë. Nuk është për të qeshur, por më vjen për të qeshur se i thashë që nuk do bëhet mbledhja. Nuk u bë sepse KLP kishte kohë të shkurtër për t’u njohur me materialin.