Aktualitet

Nis Muaji i Ramazanit, politika uron besimtarët

Besimtarët myslimanë nisën sot agjërimin në Muajin e Ramazanit që për të dytin vit radhazi përkon me masa kufizuese të vendosura në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në këtë muaj të shenjtë ka filluar zbritja e Kur’anit dhe sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman ka si detyrim të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin me nevojtarët.

Besimtarët nuk hanë ushqim e nuk pinë ujë deri në perëndimin e diellit, duke iu përkushtuar edhe më shumë se zakonisht adhurimit të Zotit e frenimit të egos. Agjërimi nis me lindjen e diellit e përfundon me perëndimin e tij.

Zyrtarë të lartë dhe politikanë uruan besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së Muajit të Ramazanit. Presidenti Ilir Meta iu bashkua urimit për agjërim të lehtë e të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari, që Zoti t’i falë mëshirën e Tij, t’ia shpërblejë sakrificën e shumëfishtë dhe të lehtësojë dhembjen e çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash të mëdha, me të cilat përballen të gjithë shqiptarët.

Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve e çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë! Nga mot Gëzuar muajin e madhërishëm të Ramazanit!

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi:

Sot besimtarët myslimanë nisin kremtimin e muajit të bukur e të bekuar të Ramazanit. U uroj të gjithëve agjërim të lehtë dhe lumturi në familje! Edhe pse me vështirësitë dhe kufizimet që na ka imponuar pandemia, ky muaj na shtoftë besimin, dashurinë dhe shpresën se festimet për gëzimet e jetës do të kthehen shumë shpejt!

Kryeministri Edi Rama uroi po ashtu “agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi “agjërim të lehtë dhe të pranuar”.

Le të shërbejë ky muaj për të na udhëhequr në rrugën e drejtë dhe përmes sakrificës e lutjeve tona drejtuar Zotit, të ndërtojmë një jetë më të mirë për popullin tonë, me më shumë mundësi dhe gëzim për çdo familje shqiptare. Agjërim të lehtë e të pranuar, dritë, shpresë dhe begati sjelltë ky muaj për ju, familjet tuaja dhe gjithë shqiptarët kudo që janë!