Celebrities Music Top Albania Radio Special

Një vështrim ndryshe i karrierës dhe jetës së artistit The Weeknd…

Ka inteligjencë matematikore, ka inteligjencë gjuhësore, ka inteligjencë inter-personale, madje dhe intra-personale. Por ka edhe inteligjencë muzikore dhe një mënyrë e lehtë për të vërtetuar nëse ky kualitet absolut gjendet në asetet e mendjes suaj është të dëgjoni muzikën e The Weeknd. Nëse ajo ju duket depresive, çmendurisht e trishtë… Atëherë  bingo! Kjo do të thotë se jeni muzikalisht të zgjuar. Jo Mozart e Beethoven, as Ray Charles e Ed Sheeran, por gjithsesi të zgjuar. Mos harroni kurrë!

Pas ndjenjës që përjetoni teksa dëgjoni një vepër muzikore, fshihet pamja e fytyrës së krijuesit të saj. Në Specialen e Top Albania Radio-s, kemi folur pikërisht për muzikën dhe shpirtin e Abel Makkonen Tesfaye, ose ndryshe The Weeknd.

Pa mendoni pak. Ideja e të qenit i famshëm s’është një shëtitje në park. Kur aq shumë njerëz flasin për dikë, atëherë ai shndërrohet në një objekt që shitet e blihet lart e poshtë. Pavarësisht nga si mund të duket së jashtmi, shumë njerëz të famshëm bien pre e abuzimit me substancat narkotike dhe arsyeja kryesore për këtë është se njerëzit harrojnë që ‘celebrities’ janë po aq njerëz sa çdokush tjetër. Por pavarësisht gjithë famës dhe presionit që ajo ushtron te vipa të këtij niveli, ka artistë si Abel Tesfaye që arrijnë të jenë njerëz të thjeshtë dhe modestë, ndërsa bota sheh famën e tyre. Abel Makkonen Tesfaye lindi më 16 shkurt të 1990 dhe sa ka cekur në të 30-tat. Djaloshi nga Etiopia u rrit në Scarborough, Toronto. Prej më shumë se 10 vitesh ai qëndron në qendër të botës së muzikës, falë dhjetra hiteve të njohura të cilat i kanë sjellë atij pesë vende të para në Billboard, 3 GRAMMY-s, e me dhjetra çmime të tjera. The Weeknd njihet për natyrën tejet interesante që hitet e tij kanë, madje edhe për domethënien e tyre shpesh herë të fshehtë, që sigurisht i bënë fansat e tij të hyjnë në një botë të thellë mendimesh. Por ajo që më së tepërmi dallon kur dëgjon “The Weeknd” të këndojë është zëri i tij engjëllor, një zë që shpesh është krahasuar me të pa krahasueshmin, Michael Jackson. Por jeta e tij s’ka qenë kurrë një jetë prej engjëlli… Përkundrazi! Jeta e tij është një jetë e trazuar, e ngarkuar me kërpudha haluçinante që pastaj shpërthenin në motive muzikore.

I ati e braktisi atë në moshë fare të vogël, kështu rritja e tij mbeti përgjegjësi e së ëmës dhe gjyshes.

Mamaja ime ishte e mrekullueshme! Shumë protektive, shumë e kulturuar. Punonte nga tre-katër punë… si nëpër filma!

Por me gjithë kujdesin e veçantë që nëna i ofroi, Abel s’mundi të qendrojë larg abuzimit me drogën. Filloi të tymoste marjuanë që 11 vjeç dhe pjesa dërmuese e fillimit të adoleshencës për të ishte e zhytur në vetmi, ngushtësisht e lidhur me televizorin që ai kishte në dhomë. Raportin me babanë e përshkruan të zymtë në ato pak intervista që The Weeknd ka dhënë, por sidoqoftë të relaksuar. Kur ishte vetëm 16 vjeç, Abel Tesfaye i bëri vetes një premtim të frikshëm: “Nëse nuk përmbushte diçka të madhe në jetë, atëherë do të vetëvritej”. Ndryshe nga shumëkush, Abel nuk vonoi që ta çonte në vend premtimin e dhënë ndaj vetes. Kur ishte vetëm 17 vjeç ai vendosi se kishte ardhur koha për një ndryshim të menjëhershëm. Prandaj, së bashku me mikun e tij La Mar Taylor, kur të dy ishin vetëm 17 vjeç, lanë gjimnazin dhe u larguan nga qyteza e tyre në Ontario, pa as më të voglin paralajmërim. Padyshim që kjo zgjedhje i la familjarët, veçanërisht mamanë e Abel Tesfaye, në gjendje shoku.

Kur bashkë me La Mar Taylor mora dyshekun e krevatit tim dhe e hodha në rimorkion e një kamionçine, mamaja më pa me atë lloj vështrimi që thoshte: “kam dështuar me ty!”

Kështu shprehej ai gjashtë vjet më parë ,në një artikull të Tom Lamont në “The Guardian”. Tanimë, dy miqtë po jetonin në një dhomë; me kushte jo fort të mira për respekt privatësie, por ia vlente për sa kohë jetonin në Parkdale, Toronto. Ndër shumë gabime të bëra gjatë asaj periudhe, eksperimentimi me drogërat e rënda si kokaina ishte ndër ato që patën më shumë peshë në jetën e tij. Ishte ky ves që do t’i merrte atij ato pak para që i kishin mbetur, madje më vonë do ta shtynte edhe të vidhte.

Pastaj u largua fare nga Parkdale dhe për ca kohë mbeti edhe pa shtëpi, duke qëndruar sa nga njëra e dashur te tjetra. Përgjatë rrugës së tij të trazuar, The Weeknd u njoh me një producent të ri, të quajtur Jermie Rose, që eventualisht do të zbulonte talentin e tij të jashtëzakonshëm vokal. Ndërkohë, Tesfaye ishte edhe vet në proces shkrimi dhe kompozimi, prandaj shpejt kuptoi që i duhej një emër i përshtatshëm për ta bërë atë të njohur dhe skenik. Me gjithçka kishte ndodhur që nga viti 2007 kur la shtëpinë e deri në 2010 kur u takua me producentin Rose, pamja e fytyrës së nënës së tij nuk i qe fshirë kurrë nga kujtesa. The Weeknd mbase nuk ishte vdekja e Abel Tesfaye, por ishte fillimi i një historie femrash, party-sh, abuzimesh me drogën, që si produkt final kishte, këngëtarin që do ta admironin miliona fansa në gjithë botën. Shkurt, Qart, “THE WEEKEND”.

“Blinding lights”, është hiti më i shkëlqyer që The Weeknd ka shkruar ndonjëherë. E pozicionuar e para në Hot 100, Kanada dhe SHBA dhe qëndroi në Hot 100 për plot 90 javë dhe ky është rekord absolut.

Në vitin 2010 The Weeknd takon producentin Jermey Rose me të cilin fillon bashkëpunimin. Së bashku realizojnë këngët e tij të para “What you need”, “Loft music” dhe “The morning” të cilat u publikuan në YouTube. Megjithëse The Weeknd ishte i shqetësuar dhe ankthioz për zërin e tij, i qendroi besnik vizionit për një rrymë të re “Dark R&B”. Kjo përkonte me të vërtetat që ai dëshironte të shprehte me aftësitë e tij vokale. Të vertetat e ashpra që lidheshin me drogërat që kishte përdorur apo me vajzat me të cilat kishte fjetur. Kjo nuk ishte hera e parë që një artist rrëfente fantazitë e tij më të errta nëpermjet muzikës R&B. Por çfarë e bëri të veçantë këtë projekt ishte fokusi i lartë tek ky stil jetese, kjo i ndryshoi rregullat e lojës. Edhe pse ai i këndonte negativitetit, nuk e promovonte atë; madje kritikonte veten. Mënyra e jetesës së tij pasi u largua nga shtëpia e mamasë u përkeqësua por ai ndjente një sens kontrolli mbi lirinë e tij. Abeli, tashmë i njohur me emrin skenik The Weeknd, po jetonte në botën që kishte krijuar vetë nëpërmjet eksperiencave që e kishin gllabëruar mes televizorit. Një botë e vogël që ai kishte trilluar nëpërmjet drogës dhe fantazive që ajo i diktonte. Një botë e udhëhequr nga melankolia, droga dhe seksi. Të gjitha këto ndjesi ai më vonë i titulloi “House of Balloons”.

Por përpara krijimeve që shumë shpejt do ta katapultonin drejt famës absolute, The Weeknd mbylli bashkëpunimin e tij me Jermey Rose. Pas kësaj u njoh me producentin Ilangelo, (në dhjetor të vitit 2010), si dhe me Doc McKinney në janar të 2011. Këto bashkëpunime rezultuan shumë të suksesshëm, duket se ata e kuptonin  tingullin e mendjes së tij e kështu u krijuan 3 përmbledhje muzikore të titulluara : “House of Balloons”, “Thursday” dhe “Echoes of silence”. U konsideruan si një projekt i vetëm triologji.

Tani qe dimë historinë e tij mund të fillojmë të perceptojmë si u bë aq i suksesshëm. Me orë të gjata pune të palodhur dhe shumë talent, The Weeknd nuk ngurroi të niste shtëpinë e tij diskografike “XO”. Lançimi i 3 përmbledhjeve muzikore “House of Balloons”, “Thursday” dhe “Echoes of silence”, ndryshuan rregullat e lojës përgjithmonë.

“House of Balloons” fliste për një burrë i cili humbte veten mes vartësisë nga droga dhe marrëdhënieve aspak të qendrueshme me femrat. Në këngën “Wicked Games”, The Weeknd flet për një moment dobësie, një nga të shumtit për të cilët ai këndon hapur. Bëhet fjalë për faktin se ka tradhtuar partneren e tij me një prostitutë. Në vend që të mendojë se si e dashura e tij do të ndihet ai e lë veten të lirë në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur siguri dhe kënaqësi. Ndryshe nga shumë artistë të tjerë të kohës, The Weeknd ishte i pari që konfrontoi vulnerabilitetin e tij pa u justifikuar dhe pa treguar se çfarë njeriu është në të vërtetë. Ai pranon krejtësisht të kundërtën. Ky djalë është i njollosur dhe kjo funksionon.

Me këngën “House of Balloons/ Glass Table Girls” ai përpiqet të bind njerëzit se festa e tij është dëfryese teksa të gjithë janë nën efektin e marijuanës së tymosur. Kjo këngë është një metaforë e madhe për depresionin. Në vend të perballen me këtë gjë, të gjithë, në fakt thjesht mbyten në të.

Të them të vërtetën asnjëherë nuk lavdëroj dikë që tradhton apo përdor drogë, por i gjithë qëllimi pse kemi simpati shpesh dhe për djemtë e këqinj është sepse një pjesë e jona i kupton ata, ndonjëhere dhe e gjen veten tek ta. Ndërtimi i karakterit është çelësi më i rëndësishëm. Kjo vlen për muzikën por dhe për gjithë kulturën popullore. E gjithë triologjia e tij me përmbledhjet muzikore është e mbushur me eksese droge dhe fantazi seksuale që vijnë në jetë në një atmosferë shumë depresive. Nëpërmjet “House of Balloons” ai nuk përpiqet të zbukurojë vendimet e tij të gabuara. Ai e përqafon hapur kaosin por veprimet e tij nuk vijnë pa pasoja. Në fund të kësaj përmbledhje muzikore ai zbulon se e dashura e tij e ka tradhtuar. Kjo gjë e lë zemërthyer e i jep atë çfarë meriton: Fundin e kësaj bote të çmendur të tullumbaceve që ai vetë ka krijuar.

Një rikthim i shpejtë në vitin 2010 kur The Weeknd publikoi muzikën e tij për herë të parë në YouTube. Gjatë kësaj kohe, kur fansat  e tij nuk e dinin ende nëse The Weeknd ishte një band apo një djalë i bardhë, ai u kontaktua nga Oliver El-Khalib, bashkëthemeluesi i “Octobers very own” dhe gjithashtu manaxheri i artistit kanadez Aubry Drake Grahamm. Oliver e prezantoi Drake me muzikën e The Weeknd, e i përfshiu këngët e tij ne “Ovo Blog- un” e Drake. Shkojmë një vit më pas, 2011 dhe shoqëria midis dy artistëve është në pikun e vet. Dëshira për një projekt të përbashkët u rrit pasi The Weeknd  mori pjesë në “Ovo Fest-in” e përvitshëm të Drake, duke krijuar dhe 3 këngë me reperin. Pjesa më e madhe e mbështetsëve dhe fansave të tij, asokohe vinin pikërisht prej Drake. Duke parë suksesin Drake i propozon artistit të ri një ujdi nën manaxhimin e shtëpisë së tij diskografike, por The Weeknd nuk dëshironte të ishte pronë e një tjetër artisti, ndaj në vend të kësaj i dhuron Drake këngë të pa publikuara më herët. Nuk dimë të themi nëse ky qe një gabim i artistit por dimë që Drake nuk e priti mirë. I zhgënjyer nga vendimi i The Weeknd ai i përdori këngët e dhuruara prej tij duke i shtuar në albumim “Take Care” të cilin e publikon në vitin 2011.

Pas suksesit të albumit të Drake, ku përfshihet dhe bashkëpunimi më i pëlqyer i tyre “Crew Love” ai qëndroi për 1 vit në maja të klasifikimeve. Shihet ende si një nga albumet më të rëndësishme të Drake. The Weeknd luajti një rol kryesor në shkrimin e këtij albumi, por në vitin 2015 në një intervistë për “The Rolling Stone” ai ka deklaruar se nuk ka marrë kreditet për këto këngë. Drake më pas e ka përgënjeshtruar këtë deklaratë duke thënë se The Weeknd ka dhënë kontributin e tij vetëm për disa nga këngët e jo për të gjithë albumin. Pas keqkuptimeve mbi meritat e këngëve të albumit “Take Care” bashkëpunimit mes tyre duket se i vjen fundi. Këto ndasi do të ndiheshin më vonë dhe nëpërmjet postimeve të ndryshme në Instagram. Por pavarësisht karakterit hakmarrës të Drake, The Weeknd zgjedh të qëndrojë modest dhe me këmbë në tokë duke i’a lënë opinionit publik gjykimin e raportit mes dy artistëve.

Në vitin 2013 albumi “Kiss Land” u bë pjesë e të gjitha platformave muzikore. Shumë prej fansave të tij, ende sot janë të dashuruar me këtë album më së shumti prej kulturës dhe narrativës japoneze që ka në përmbajtjen e tij. Artisti i tejkalon kufijtë e muzikës R&B me stilin e tij unik të vokalit, instrumenteve muzikorë dhe teksteve të këngëve. Influencë aq e fortë sa mund të themi se ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe në zgjedhjet artistike të shumë reperëve të ditëve të sotme. Impakti që “XO” ka në gjeneratat e reja është i padiskutueshëm. Artistë si Lil Uzi Vert janë frymëzuar nga fryma dhe stili i tij. Në këtë album The Weeknd ruan të njëjtat vlera që ka trashëguar nga punët e tij më të hershme. Tematikat e errta janë ende aty edhe pse me tone më të lehta por sërish të sinqerta.

Teksti i këngës “Can’t feel my face”, i referohet artistit teksa është duke përdorur kokainë me një vajzë prandaj dhe nuk ndjen dot më fytyrën pas konsumimit të drogës. Kënga “The Hills” ka mesazh të ngjashëm. Këtu The Weeknd i referohet një raporti me një grua të martuar. Ai kërkon që ajo ta prekë vetëm seksualisht dhe të mos ketë një lidhje emocionale me të. Sërish në qëndër të këngëve janë anët e tij të errta të cilat nuk i fsheh për asnjë moment.

The Weeknd e donin të gjithë. Është e rrallë të lexosh diçka të keqe apo të papëlqyeshme për të në rrjet; dhe ai, duke qenë i vetëdijshëm për këtë, vendos t’i japë personazhit të tij një pushim. Në 2015 The Weeknd takon supermodelen Bella Hadid, që do të bëhej edhe e dashura e tij. Kjo mbase është hera e parë që The Weeknd mund të ishte sërish Abel Makkonen Tesfaye, duke i lënë mënjanë marrëdhëniet e tij kautike me femrat, e duke u bërë më i dedikuar pas një vajze të vetme. Kjo ishte, njëlloj, hera e parë që The Weeknd takonte një vajzë publikisht, në sy të të gjithëve. Bella Hadid solli një impakt të mirë në karakterin e tij, por marrëdhënia, ndonëse pozitive, nuk zgjati shumë dhe u shkëput me mirëkuptimin e të dyve. Mirëpo koha e solli që bukuroshja Hadid, tani single, të organizonte një parti ditëlindjeje dhe organizatori ishte, vet zoti… Drake. Ndonëse të ndarë ta merr mendja që një copëz frikë ekzistonte në zemrën e Abel Tesfaye, se mos ky party, ky takim, i bënte ata bashkë, gjë që nuk ndodhi. Megjithatë, largimi i Bella Hadid nga jeta e tij, e bëri atë t’i rikthehej the Weeknd-it të vjetër.  Kjo ndërthurje karakteresh, mes dy gjysmave të të njëjtit person, s’do të thoshte gjë tjetër veçse rritje. Evoluimi i artistëve duket nga stili dhe look-u i tyre. Kryesisht rritja e flokëve konsiderohet si diçka impresionuese; se fundja flokët bien lehtësisht në sy. Flokët e The Weeknd ishin diçka speciale në 2010, e pak më vonë se aq. Por ndërsa The Weeknd kalonte nga albumi i tij “Beauty behind the manners, 2015”, te albumi i tij i 2016-ës “Starvoid”, flokët e tij shkuan. Ky ishte një tranzicion i vërtetë për The Weeknd. Mbase për herë të parë në karrierën e tij, The Weeknd ndryshoi edhe qasjen e tij muzikore. “Sex Pop” dhe “dark tones”  që e karakterizonin u zëvendësuan me Electronic pop dhe me një stil muzikor më pranë masës.

Ndërkohë në 2017 The Weeknd pati një obsesion me Selena Gomez. Pas një marrëdhënieje që zgjati 10 muaj, Selena-s ju desh vetëm një javë që të kthehej te ish i dashuri i saj. Gjithë kjo solli inspirimin e duhur për “My Dear Melancholy”; minialbumin e tij të parë. Kjo qe një pikë ndryshimi për The Weeknd. Këtu asgjë s’i ngjante më asaj çka dikur ai këndonte në “House of Balloons”. Në një sens, ky tranzicion i ngadaltë por i vazhdueshëm e shtyn The Weeknd larg jetës me zemra të thyera që ai kishte krijuar deri në atë kohë. Përfundimisht, Abel dhe The Weeknd, gërshetohen në 1; por tani duket sikur dy gjysmat e pranojnë më mirë njëra tjetrën. Prej këtij pranimi të së tërës do të vijë, mbase, projekti më i mirë i The Weeknd.

Çdo pjesëz në rrugën e çmendur të The Weeknd konkretizohet në albumin e tij të fundit, “After Hours”. Kurrë më parë s’kishte qenë kaq i vendosur për ta ç’bërë personazhin që vet kishte ndërtuar dhe kurrë s’kishte vuajtur më shumë se tani në këtë mision personal. Ky album ishte i pasuruar me ‘pop synths’ që në një kontekst të caktuar, bashkë me instrumente të tjerë muzikorë të viteve 80, shërbenin si një metaforë e të shkuarës dhe pamundësisë për tu ndarë prej saj. Para se ky album të dilte në treg, The Weeknd publikoi videoklip si për “Heartless”, ashtu edhe për “Blinding Lights”. Këtu për herë të parë, Abel e prortretizon The Weeknd si karakter, me tragjedinë e tij personale që artistikisht shprehet si në muzikën dhe tekstet e tij, ashtu edhe në videoklipe, të cilat bëhen njëra më tragjike se tjetra. Në klipin e këngës “Heartless”, ai hyn në Vegas, me idenë për të harxhuar gjithçka ka, vetëm për ca kohë qejf e që t’i largohet vetmisë. Pastaj videoja e përshkruan atë teksa merr drogë dhe largohet, vetëm për t’u rikthyer në videon e lidhur të “Blinding Lights”. Në këtë klip ai shihet teksa nget me shpejtësi automjetin e tij; pastaj duket i rrahur nga roja e një klubi nate… dhe në fund, sërish vrapon ndërsa përjeton efektet e një droge të çuditshme. Në klipin e “Save your tears” The Weekend e përqafon akoma edhe më shumë këtë lloj jete, ndërsa trupi i tij shfaqet i mbuluar në operacione plastike. Mesazhet e nënkuptuara që e shfaqin atë me ish të dashurën e tij Selena Gomez, tregojnë, patjetër, një ndër dhimbjet e tij më të mëdha. Ky stil hollivudian jetese e ka rrëmbyer njëherë e përgjithmonë lirinë e tij; dhe çdo tentativë për tu larguar prej gjithë kësaj e kthen atë një hap më shumë drejt makthit të tij.

Përpara daljes së albumit, pritshmëritë u shtuan në saj të një postimi në Instagram në fund të vitit 2019. Postimi me titullin “Rënia fillon nesër mbrëma” mbajti të mbërthyer fansat e The Weeknd. Në muajit që pasuan ai publikoi këngë, trailer dhe vizualizime kinematografike. Ai bëri çka shumë artistë neglizhojnë të bëjnë: ‘rollouts’. Rollouts janë ngacmime të ndryshme audio dhe video që marketojnë produktin artistik në forma nga më të ndryshmet si performancë live, takimë të ndryshme dhe mesazhe subliminare për të paraprirë. Me anë të kësaj strategjie ai mbërtheu interesin e fansave të tij dhe jo vetëm. Performancat e tij tejkaluan çdo pritshmëri, një eksperiencë e tërë që rrotullohej rreth albumit. Kjo lloj strategjie marketingu krijon kujtime që të bëjnë ta duash muzikën që dëgjon akoma më shumë. Kjo është dhe arsyeja pse shumë fansa të Drake kërkojnë që ai t’i rikthehet muzikës së vjetër, për shkak të eksperiencës së tyre me muzikën në atë kohë. Njesoj siç ndodh kur një këngë e vjetër të çon ndër mend një periudhë të caktuar të jetës tënde.

Albumi “After Hours” u publikua në mars të vitit 2020 dhe sërish në tekstet e The Weeknd fshihen temat e nënkuptuara. Shumë mund të mendojnë se dritat për të cilat flet artisti në këngën “Faith” janë dritat magjike të Las Vegasit, por në fakt janë dritat e një ambulance…