Bota

Njihuni me 4 vjeçaren, e cila po “shpëton” oqeanet nga plastika!

Nina Gomes mund të jetë ambjentalistja më e vogël në botë, e cila jep kontributin e saj për mjedisin. Me syze rozë dhe vetëm 4 vjeç, ajo mbledh mbeturina me babanë e saj përgjatë plazheve të Rio de Janeiro.

“Ajo është tashmë një mini-mbrojtëse e oqeanit,” shprehet babai i saj.

Bashkë me Ninën, Gomes lëviz drejt plazheve të ndotura të Gjirit Guanabara të Rios, ku ajo mbledh shishet plastike dhe dhe i vendos në një rrjetë.

E pyetur se përse mbledh mbeturina në det, ajo përgjigjet:  “Sepse përndryshe, peshqit dhe breshkat vdesin “.

Njëmbëdhjetë milion tonë plastikë hidhen në oqean çdo vit, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin. Mbetjet plastike mund të jenë vdekjeprurëse për zogjtë e detit dhe jetën nënujore, me qindra dhe mijëra gjitarë detarë që vdesin çdo vit duke konsumuar ose bllokuar në mbeturina plastike.

Gomes, i cili bëri një film në vitin 2017 për botën nënujore të Gjirit Guanabara, u frymëzua nga lindja e vajzës së tij për të themeluar “Instituto Mar Urbano”, një grup me bazë në Rio që angazhohet në luftën kundër katastrofave detare.

Studimet nga Instituti Chico Mendes i Brazilit për Ruajtjen e Biodiversitetit zbuluan se kishte mbi 400 specie të dallueshme zogjsh, peshqish, zvarranikësh dhe gjitarësh që jetojnë brenda ose në periferinë e Gjirit Guanabara.

Mijëra banorë të Rio mbështeten gjithashtu në zonë, për të siguruar jetesën e tyre përmes peshkimit. Më shumë se 10 milion njerëz jetojnë në zonat përreth gjirit.

Gomes shpreson që shembulli i Ninës të shërbejë për të frymëzuar fëmijët dhe të rinjtë e tjerë që të angazhohen dhe të kenë një ndjeshmëri më të lartë kundrejt ndotjes së mjedisit!