Bota

OKB-ja organizon ndihmën pas stuhisë vdekjeprurëse në Libi!

Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB po organizon ndihmën për të mbijetuarit pas stuhisë shkatërruese në Libi që vrau mijëra persona e që sipas vlerësimeve është fjala për 10 mijë vetë. Por, bilanci mbetet të konfirmohet, pasi nuk është zyrtar. Stephane Dujarriç, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi:

Kombet e Bashkuara po punojnë me partnerë vendas, si dhe ndërkombëtarë për të marrë ndihmën urgjente e të nevojshme humanitare për ata në zonat e prekura.

Më tej, zëdhënësi vuri në dukje se një ekip i OKB-së gjendet në terren dhe se po bashkëpunon me autoritetet lokale për të vlerësuar nevojat e po ashtu për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës.

Ndërsa punonjësit e shpëtimit dhe të afërmit po kërkojnë për të mbijetuar, rreth 10 mijë banorë u raportuan të zhdukur në numërimin e fundit pas stuhisë “Daniel”, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Ministria e Brendshme e njërës prej qeverive rivale të Libisë tha se rreth 5 mijë e 200 persona humbën jetën. Kjo shifër nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Qeveria e njohur nga OKB-ja në Tripoli premtoi miliona dollarë ndihmë për zonat e shkatërruara nga stuhia, megjithëse nuk kontrollon rajonin në lindje të vendit.

Dy qeveri rivale po konkurrojnë për pushtet në Libi, vend që tashmë është rrënuar nga trazirat në vitet e fundit.

Njëra është e vendosur në lindje dhe tjetra qëndron e instaluar në kryeqytetin Tripoli, në perëndim të vendit. Deri më tani kanë dështuar përpjekjet diplomatike për të zgjidhur në mënyrë paqësore luftën civile që është në vazhdim.

Libia ka qenë në trazira që nga përmbysja e diktatorit Moamer Gaddafi në vitin 2011. Milici të panumërta ende janë duke luftuar për pushtet dhe ndikim në vendin e pasur me naftë.