Bota

Përmbytjet në Libi në Derna mendohet për 10 mijë viktima!

Në Libi, numrat e viktimave nga katastrofa e përmbytjeve ndjekin njëri-tjetrin në një garë të çmendur  dhe tragjike. Mijëra jetë të humbura nga uragani Daniel dhe shembja e digave në Derna. Nga furia e ujit, vdekjet e konfirmuara janë rritur në të paktën 6 mijë, por ekziston frika se mund të bëhen 10 mijë. Të shumtë janë të zhdukurit.

“Numri i vdekjeve është i madh”, tha Tamer Ramadan, i dërguari për Libinë i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe,

Situata në Derna është katastrofike.  Ende ka familje të ngujuara në shtëpitë e tyre dhe viktima nën rrënoja. Janë mijëra njerëz të zhdukur dhe numri i vdekjeve pritet të arrijë në 10 mijë. Situata po bëhet gjithnjë e më tragjike. Nuk ka statistika përfundimtare për numrin e viktimave.

Hichem Chkiouat, ministër i Aviacionit Civil, shkoi në pjesën që ka mbetur nga qyteti prej 50 mijë banorësh për të parë situatën.

Trupat shtrihen kudo: në det, në lugina, nën ndërtesa. Në varreza ka më shumë se 700 viktima, në pritje për t’u identifikuar.

Uji u ngrit në tre metra, duke shkatërruar shtëpi, duke tërhequr zvarrë makina dhe njerëz, duke i bërë rrugët të papërdorshme, duke u shndërruar në përrenj të turbullt balte të kuqërremtë. Dhe është pikërisht gjendja e rrugëve të komunikimit që i vështirëson operacionet e shpëtimit, të cilat në disa raste janë devijuar nga deti. Një anije e ngarkuar me materiale mjekësore u largua nga Tripoli.

Vala e solidaritetit 

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi se Amerika po dërgon fonde emergjente për organizatat humanitare dhe po koordinon me autoritetet libiane e Kombet e Bashkuara për të ofruar mbështetje të mëtejshme. Rusia e Vladimir Putinit, gjithashtu është e gatshme të “sigurojë ndihmën e nevojshme”.

Tre avionë të ngarkuar me ndihma dhe personel të dërguar nga Turqia janë tashmë në vendin afrikan dhe Algjeria ka ngritur një transport ajror prej tetë avionësh ushtarakë për të ofruar mallra thelbësore. Franca, nga ana e saj ka vendosur të dërgojë një spital fushor të mbrojtjes civile.