Rajoni

Opozita në Kosovë kritika të forta Albin Kurtit për dakordësinë me Serbinë!

Opozita në Kosovë kritikon rezultatin e takimit Kurti-Vuçiç në Ohër, të përshëndetur nga BE-ja dhe SHBA-të. Për Lidhjen Demokratike, nuk ka sukses, por “humbje të mundësisë historike”. Kryetari Lumir Abdixhiku thotë se “dakordësia nuk siguroi njohje të Kosovës, vetëm asociacionin e komunave serbe”.

Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike. Ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Përfundoi një kauzë politike e rreme, që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjesht u zhbënë. Një marrëveshje pa njohje, jo finale, plus dhe me asociacion është çfarë Kurti i solli Kosovës. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, nuk është më e riparueshme.

Kreu i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi shprehet se “Albin Kurti pranoi gjithçka që premtoi se do të refuzonte”. Sipas tij, “marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar, në autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar”.

Postimi i Krasniqit:

Më 27 shkurt në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin europian. Dje, më 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta.

Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.

Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë.

Edhe opozita në Serbi u shpreh e pakënaqur me dakordësinë në Ohër. Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiç paralajmëroi referendum që qytetarët të thonë fjalën e tyre. Sipas tij, “marrëveshja vetëm sa krijoi “Shqipërinë e Madhe””.