Politikë

“Organizim i PD brenda 2 muajsh”, Basha u shtrin dorën të larguarve e profesionistëve: Fund intrigave e përplasjeve

Të gjithë në terren për të organizuar Partinë Demokratike brenda këtij viti. Këtë apel bëri kryetari demokrat Lulzim Basha në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar, sipas të cilit numërimi mbrapsht sapo ka nisur. Ai tha se PD ka humbur kohë të çmuar duke u marrë me problemet personale të disa politikanëve dhe jo me hallet e njerëzve dhe demokratëve, por ky model sipas tij tashmë ka marrë fund me kuvendin e 2 shtatorit. Sipas Bashës përgjegjësia e demokratëve së pari është ndërtimi i PD-së dhe më pas i të ardhmes së vendit.

“Hap i madh për PD. Formatimi i strukturave të PD i jep hov aksionit tonë politike që për shumë gjatë u largua nga detyra parësore në shërbim të shqiptarëve, Shqipërisë e demokratëve. Nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësia që na mban bashkë. Kur zhurma e përplasjes bëhet më e fortë se zëri i arsyes të gjithë humbasim. Humbëm kohë të çmuar duke u marrë me probleme që nuk kanë lidhje me shqetësimet e njerëzve, por me hallet personale të pak politikanëve që janë gati të shkatërrojnë të mirën e shqiptarëve e demokratëve. Ky model ndahet me hipokrizinë, inkoherencën e standardet e dyfishta që kanë neveritur qytetarin nga politika. Demokratët dhe mbarë shqiptarët meritojnë një model ndryshe të vëmendjes ndaj njerëzve dhe jo të fiksuar me fatin personal. Një politike të dhembshur të njerëzve që di t’i dëgjojë dhe do t’u japë zgjidhje problemeve te tyre. Pas kuvendit kombëtar numërimi mbrapsht ka nisur për të gjithë ne. Kuvendi kombëtar i 2 shtatorit është mesazh i fortë për të gjithë. Të qartë për përgjegjësinë që kanë për ta nxjerrë vendin nga kriza ku ndodhet dhe për të ndërtuar të ardhme para së gjithash të ndërtojmë partinë tonë duke mbyllur një cikël të strëgjatur intrigash e bërrylash”.

Teksa foli për kapacitetet dhe intelektualët e larguar nga PD për shkak të krizës së partisë. Basha u shtriu dorën e bashkëpunimit të gjithëve për të dhënë kontributin e tyre dhe për të normalizuar politikën.

“Sot formatojmë forumet statutore të partisë. Secili duhet ta shohë si mundësi e sprovë si duhet të drejtojmë aksionin politik të PD. Që kjo të ndodhë duhet të bëjmë gjithçka që të tejkalohet kriza. Shumë individualitet e kapacitet nuk janë pjesë sot e PD, por do të jemi bashkëpunues. Forumet mbeten funksion të ngurta nëse nuk përthithin ide e vizon. Është proces i hapur e i vazhdueshëm. Do t’u shtrijmë dorën intelektualëve, profesionistëve, sipërmarrësve, të rinjve dhe rejave për të dhënë kontributin e tyre për të normalizuar politikën për të ndërtuar një urë shprese e besimi nga e sotmja drejt së nesërmes. Ky është përkushtimi ynë, një PD që do t’u shërbejë interesave të njerëzve, për fëmijët e shqiptarëve, për nxjerrjen nga kolapsi të shëndetësisë për paga më të mira dhe jetë dinjitoze të familjeve shqiptare, që mos të kenë frikë të ndërtojnë të ardhmen këtu”.

Prioritet kryesor Basha përmendi të qenit pranë njerëzve dhe problemeve të tyre, duke e dëshmuar me prova

“Na takon të japim prova se ua kemi lënë të tjerëve obsesionin për karrige, kemi prioritet për të qenë pranë njerëzve e shqetësimeve të tyre. Është detyra jonë të dëshmojmë që jemi krah tyre duke i shërbyer interesit publik. Si dëshmi e kostove janë edhe zgjedhjet e pjesshme në Kukës. Për një kohë të gjatë u morëm me luftë me njëri-tjetrin. Është hera e fundit që PD nuk ka kandidatë në zgjedhje, duhet të jemi në terren për të ringritur partinë”.

Riorganizmi i partisë sipas Bashës nuk do të mbivendosë punën për të qenë një opozitë ballore dhe zëri i së vërtetës.

“Organizimi i partisë, i demokratëve është punë që nuk do t’i mbivendoset detyrës sonë për të qenë zëri i të vërtetës. Brenda dy muajsh struktura organizative e PD do të marrë formë të plotë sipas përcaktimeve të 2 shtatorit. Këshilli Kombëtar do të jetë në terren. Brenda fundit të vitit t’u japim demokratëve e shqiptarëve një strukturë të ripërtërirë një program të gatshëm për t’u përballuar me interesin publik. Dhe gati për t’u përballur me sfidën e ardhshme të zgjedhjeve parlamentare. Kjo është një garë me kohën por nuk do t’i mbivendoset detyrës sonë për të qenë zëri i të vërtetës dhe opozita ballore dhe e pakompromis me këtë qeveri. Makijazhet që i bënë qeverisë së Ramës nuk e fsheh të vërtetën që shqiptarët kanë qeverisje të korruptuar. Kjo keqbërje çdo ditë e më shumë po e vendi po rrëshqet në ekonominë e centralizuar të oligarkëve, duke zhbërë ekonominë e tregut”.

Në përfundim të fjalës së tij Basha shprehu mbështetje pa kushte për SPAK-un.

“Mbështetje pa kushte ndaj SPAK, shqiptarët presin dhe meritojnë drejtësi. Ky këshill kombëtar dhe grupi i PD dhe e gjithë PD nuk mund të mos kenë prioritet reformën zgjedhore për ti dhënë shqiptarëve një parlament që e zgjedhin vetë ata”.