Bota

Paralajmërime për sulm terrorist në aeroportin e Kabulit!

Disa shtete thonë se ekziston një kërcënim i lartë për një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit dhe kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që të mos udhëtojnë për atje. Australia, SHBA dhe Britania e Madhe kanë dhënë paralajmërime për qytetarët e tyre, duke i këshilluar të largohen menjëherë nga zona, raporton “BBC”.

Më shumë se 82,000 njerëz janë larguar me avionë nga Kabuli, i cili ra në duart e talebanëve 10 ditë më parë. Shtetet po nxitojnë për të evakuuar njerëzit deri në 31 Gusht. Mijëra njerëz janë ende duke pritur brenda dhe jashtë aeroportit, duke shpresuar të fluturojnë jashtë vendit. Talebanët kanë kundërshtuar zgjatjen e afatit të evakuuimit, por gjithashtu kanë premtuar se do të lejojnë të huajt dhe afganët të largohen nga vendi edhe pas 31 Gushtit, sipas sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Ditën e sotme, ministrja Australiane për Punët e Jashtme, Marise Payne, tha se:

Ekziston një kërcënim i vazhdueshëm dhe shumë i lartë i një sulmi terrorist.

Mbretëria e Bashkuar dha ​​këshilla të ngjashme duke u kërkuar njerëzve atje të largohen në një vend të sigurt dhe të presin këshilla të mëtejshme. Zyra e Jashtme tha se situata e sigurisë në Afganistan mbetet e paqëndrueshme duke shtuar se kishte një kërcënim të vazhdueshëm dhe të lartë të një sulmi terrorist. Asnjë nga vendet nuk dha informacion shtesë mbi kërcënimin konkret të sigurisë.

Pentagoni ka thënë se 10.000 njerëz janë ende duke pritur të evakuohen nga aeroporti i Kabulit me avionë amerikanë. Ekziston frika për mijëra afganë të tjerë, të cilët janë të dëshpëruar të largohen, por nuk mund të arrijnë në aeroport. Aeroporti i Kabulit aktualisht mbrohet nga 5.800 trupa amerikane dhe 1.000 trupa britanike.