Sport

Pas fitores, Mourinho: “Të fitosh e të shkruash historinë është speciale!”

Në Tiranë, Roma shkroi historinë dhe fitoi trofeun e Uefa Conference League, në finalen e mbrëmshme përballë holandezëve të Feyenoordit, në stadiumin “Air Albania”. Një fitore e ëmbël, falë golit Zaniolos. I përlotur, trajneri portugez Jose Mourinho deklaroi se “të fitosh e të shkruash historinë është speciale”. Dhe është pikërisht, ai, Special One, i cili me kupat ka flirtuar gjithnjë e tani numëron 26 tituj.

Goli i Nicolo Zaniolos, në minutën e 32-të, i dhuroi këtë sukses të artë kryeqytetasve italianë, të cilët kishin pritur më shumë se 60 vite për të provuar shijen e një trofeu Europian për klube. Edhe pse holandezët, bënë gjithçka në pjesën e dytë, për të barazuar sfidën, fati nuk ishte me ta, teksa goditën dy herë shtyllën. Në fund, nuk mungoi festa e çmendur e italianëve.

Para largimit nga Tirana me të parin trofe historik të Conference League, si e para fituese e këtij turneu, Roma nxitoi që mbishkrimin: “FITUESIT e Conference League 2022”, ta vendoste në xhamin e përparmë të autobusit të skuadrës dhe që në vendin tonë mbërriti tre ditë më parë. Një veprim për ta bërë edhe më të veçantë triumfin 1-0 përballë holandezëve të Feyenoordit.

Pas sfidës, mediat europiane i bënë jehonë fitores së Romës së Mourinhos ndërsa ato holandeze, trishtimit për humbjen në Tiranë, Feyenoordit të tyre. Në mënyrë të veçantë, spanjollet “Marca” e “AS”, nuk i kanë kursyer elozhet për teknikun portugez, duke iu referuar si “perandor”. Po kështu, mediat britanike “The Sun” e “Daily Mail” e nuk mbetet pas gazeta gjermane “Bild” që shkruan: “SuperMourinho tani bëhet “I Vetmi”: Trajneri legjendar fiton me Romën, Conference League”. Fitores së mbrëmshme të Romës në Tiranë i bën jehonë edhe francezja E’Equipe.