Gossip Showbiz

Pas menaxherit, avokati i Britney Spears jep dorëheqjen! Këngëtares i largohen të gjithë në momentet më të vështira…

Të gjithë jemi njohur me historinë dhe deklaratat tronditëse të këngëtares së njohur Britney Spears lidhur me kujdestarinë e të atit. Këngëtarja nuk e fitoi dot betejën ligjore pasi gjykata mori vendimin ku vazhdon t’i japë babait, Jamie Spears, kontrollin mbi jetën e saj. Së fundmi, menaxheri i Britney Spears, Larry Rudolph dha dorëheqjen. Sipas mediave, ai ka kërkuar të dalë në pension dhe është shprehur se nuk dëshiron të jetë i përfshirë në çështjen e kujdestarisë.

Edhe avokati i Britney Spears, Samuel D. Ingham III, thuhet se do të japë dorëheqjen nga çështja e saj e kujdestarisë. Sipas “TMZ”, Ingham e mori këtë vendim pasi ishte “jashtëzakonisht i mërzitur” për pretendimet që Spears bëri për të në seancën e saj gjyqësore më 23 qershor. Këngëtarja i tha gjykatëses, Brenda Penny se nuk e dinte se mund të bënte kërkesë për t’i dhënë fund kujdestarisë.

Burimet për “TMZ” thanë se Ingham i ka dhënë Britney-t rregullisht opsione, përfshirë edhe kërkesën për heqjen e kujdestarisë, por këngëtarja kishte shprehur vetëm dëshirën për të hequr të atin, Jamie Spears, nga roli i kujdestarit. Ingham më parë tha në një seancë gjyqësore në nëntor të 2020-ës se Britney ka “frikë” nga Jamie dhe “nuk do të performojë më nëse babai i saj do të drejtojë karrierën e saj”.

Ai më pas paraqiti një peticion në mars duke kërkuar të bënte kujdestare të përhershme të Britney-t, Jodi Montgomery. Burime për “Page Six” thanë se Britney ishte ndjerë e zhgënjyer për dështimin e Ingham për të zgjidhur çështjen e kujdestarisë së fundmi. Rikujtojmë, se Ingham u caktua në çështjen e Britney-t në vitin 2008, kur këngëtares nuk iu dha e drejta ta zgjidhte vetë avokatin.