Rajoni

Pas përleshjeve fizike, Kuvendi i Kosovës ndërpret punimet/Prani e shtuar policore!

Më vendim të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ndërpriten për dy orë punimet e Kuvendit të Kosovës, që më herët gjatë ditës u kthye në arenë përleshjesh fizike. Konjufca tha se “për momentin nuk janë kushtet për të vazhduar seancën plenare”. Deputetët e Partisë Demokratike në opozitë sulmuan fizikisht kryeministrin Albin Kurti teksa fliste në foltore për situatën në veri. Opozita thërriste “gënjeshtar”.

Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme; përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne. Nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës, ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit.

Fillimisht, drejt zv.kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi nga foltorja e grisi një foto-montazh të kryeministrit me hundë të zgjatur. Aty e kishin vënë deputetë të opozitës. Kjo çoi deri në përplasje fizike, edhe me përfshirjen e ministrit të Financave, Hekuran Murati.  Për të ndalur përleshjet ndërhynë truprojat e Kurtit e policia e Kosovës. PDK-ja rrethoi foltoren që kryeministri të mos vazhdonte fjalimin.

Brenda dhe jashtë godinës së Kuvendit ka prani të shtuar të forcave policore.

Eliza Hoxha, e cila foli në emër të grupit parlamentar të PDK-së bëri thirrje që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet e “sa më shpejt”, vendi të shkojë në zgjedhje. Hoxha vuri në dukje se audio-regjistrimet “zbardhin komunikimin dhe raportet e pushtetit të Albin Kurtit me Listën Serbe e Milan Radoiçiçin”.

Çfarë duhet të ndodhë më shumë për ta kuptuar që ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës, që ka urdhërarrest nga Prokuroria. Nuk mjaftojnë as dorëheqja e as shkarkimi sepse koordinimin e keni të përditshëm me Radoiçiçin, e jo me shqiptarët e as me ndërkombëtarët.

Ditët e fundit, opozita ka qenë kritike ndaj qeverisë pasi në mediat në Kosovë dolën përgjime të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, ku pranonte se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Zyrtarisht, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë vazhdimisht kritike ndaj personave që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiçin.

Milan Radoiçiç është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe gjithashtu rezulton në listën e zezë të SHBA-ve për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”. Po ashtu, kërkohet nga Kosova për dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.

Para përplasjes, Kurti foli për Radoiçiçin e sqaroi si është tërhequr fletë-arresti ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej qeveria Kurti.

Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë është që gjendet në një hotel në Kopaonik, në Serbi.

Radoiçiç përmendet dhe si “drejtues i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. Por, urdhërarresti për të u tërhoq në mars të vitit 2021, pa një shpjegim.