Rajoni

Plas grushti, rrahje masive në Kuvendin e Kosovës teksa fliste kryeministri Kurti!

Salla e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës sot është kthyer në arenë përleshjesh fizike mes deputetëve të partive të ndryshme. Gjithçka nisi ndërsa në foltore po fliste kryeministri Albin Kurti, i cili po fokusohej te tensionet në veriun me shumicë serbe.

Gjithçka nisi kur gjatë kohës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po mbante një fjalim në foltoren e Kuvendit u sulmua fizikisht nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, në opozitë.

Kurti po ndalej te situata e tensionuar në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”, pra e etiketonin si gënjeshtar shefin e qeverisë së Prishtinës.

Fillimisht, në drejtim të zv.kryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi ai largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazh të kryeministrit me hundë të zgjatur, foto që aty e kishte vënë opozita. Më pas, situata u përkeqësua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Pas përleshjeve, transmetimi i drejtpërdrejt nga Kuvendi i Kosovës u ndërpre. Për të qetësuar situatën, në Kuvend ka shkuar policia, pasi u kërkua ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit.

Truprojat e Kurtit ndërhynë për të ndaluar përleshjet. Aktualisht, nuk ka të larguar nga salla e Kuvendit. Nga Partia Demokratike e Kosovës kërkohet që kryeministri të mos flasë në Parlament dhe deputetët janë pozicionuar pranë foltores, por Albin Kurti shprehet i vendosur të vazhdojë fjalimin.

Ditët e fundit, opozita ka qenë kritike ndaj qeverisë pasi në mediat në Kosovë dolën përgjime të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, ku pranonte se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Zyrtarisht, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë vazhdimisht kritike ndaj personave që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiçin.

Milan Radoiçiç është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe gjithashtu rezulton në listën e zezë të SHBA-ve për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”. Po ashtu, kërkohet nga Kosova për dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.

Para përplasjes, Kurti foli për Radoiçiçin e sqaroi si është tërhequr fletë-arresti ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej qeveria Kurti.

Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë është që gjendet në një hotel në Kopaonik, në Serbi.

Radoiçiç përmendet dhe si “drejtues i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. Por, urdhërarresti për të u tërhoq në mars të vitit 2021, pa një shpjegim.