Celebrities Film & Tv Showbiz

Pas suksesit në teatër Rudina Dembacaj dhe Gentian Zenelaj së bashku edhe në kinema!

Rudina Dembacaj dhe Gentian Zenelaj përveçse dy miq shumë të mirë janë dy artistë që në bashkëpunimet e tyre kanë pasur sukses. Besojmë të gjithë e mbani mend komedinë “Boing – Boing” e cila ka thyer rekordet e shfaqjeve me më shumë se 150 të tilla të mbajtura jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë. Ky sukses tashmë është përkthyer në filmin “Dashuri dhe Turbulenca” i cili vjen premierë në të gjitha kinematë më datë 7 prill. Rudina Dembacaj vjen për herë të parë në një film, ku është njëkohësisht dhe bashkëproducente, ndërsa Gentian Zenelaj vjen si skenarist. Regjia e filmit i është besuar Dionis Papadhimitri. Të ftuar në “Wake Up”, ata kanë zbuluar më shumë rreth këtij filmi dhe bashkëpunimit të tyre.

E kujt ishte ideja që suksesin në teatër të “Boing – Boing” ta përkthenit në filmin “Dashuri dhe Turbulenca”?

Rudina: Ne takohemi shumë shpesh dhe ka qenë një ide që n aka ardhur shumë spontanisht para shumë kohësh. Mendoj që do të jetë komedia më e suksesshme në Shqipëri.

Prisni të ketë të njëjtin sukses si shfaqja?

Rudina: Me gojën plot mund të them që do të jetë shumë i suksesshëm. Në nëntor është bërë takimi i parë dhe në dhjetor filluam. Është realizuar për 20 ditë.

A ka një mesazh që do të transmetonit nëpërmjet filmit?

Gentian: Filmi është thjesht një komedi, ka të gjitha elementët për të qenë një komedi që prodhon e gjithë bota. Ka një histori shumë të bukur, ka element shumë të mirë, etj. Jo çdo shfaqje duhet të ketë një mesazh, por kur i jep një energji pozitive dikujt mua më pëlqen. Nëse vjen në kinema dhe të krijohet një energji pozitive, je njeriu më i lumtur në botë.

Cilat skena të filmit që kanë pasur më shumë vështirësi?

Gentian: Vështirësia ka qenë xhirimi në aeroport. Masat e sigurisë ishin të vështira. Ne ishim dhe ekip i madh dhe kjo na ka lodhur shumë.