Bashkimi Europian shpreh gatishmërinë për të punuar me presidentin e ri të zgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, duke theksuar bindjen se ky shtet do të mbetet i përkushtuar për rrugën europiane.
Në të njëjtën kohë, Brukseli ka bërë ftesë për stabilitet politik në këtë vend, që të përshpejtohet procesi i reformave e të arrihet përparim në negociatat e anëtarësimit. Kështu tha sot në Bruksel zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kur u pyet mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Podgoricë.
Kandidati për president i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, dje fitoi rreth 60% të votave në raundin e dytë të votimeve presidenciale. Rivali i tij, presidenti aktual, Milo Gjukanoviç siguroi afro 40%, siç treguan rezultatet paraprake.
Bashkimi Europian do t’i ofrojë vlerësimet e veta zyrtare, pasi të bëhet publik raporti i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Në përgjithësi presim të bashkëpunojmë me presidentin e ri dhe me të gjithë partnerët politik në Podgoricë për të ndihmuar Malin e Zi të mbetet fuqishëm në rrugën e integrimeve europiane. Prioritet duhet të jetë sundimi i ligjit dhe vazhdimi i reformave në drejtësi, ashtu siç është kërkuar nga raportet përkatëse të Komisionit Europian.
Analistët thonë se ende është e paqartë nëse Milatoviç dhe partia e tij në rritje “Europa Tani” do të vazhdojnë të ndjekin politikat pro Bashkimit Europian.
Ata paralajmërojnë se marka e populizmit e kësaj partie mund të shkaktojë lëkundje përballë çështjeve të vështira me të cilat përballet një nga demokracitë më të reja të kontinentit, përfshirë këtu: ndarjet politike mbi identitetin serb dhe malazez, marrëdhëniet me Beogradin dhe Kishën Ortodokse Serbe, si dhe ndikimin rus në rajon.