Aktualitet

Përfaqësia e Kremlinit sqaron propozimin për t’i shërbyer Shqipërisë vaksinën “Sputnik-V”

Ndërsa Kryeministri Rama e cilësoi provokim dhe madje kërkoi dhe një ndjesë nga ambasada ruse, mbi deklaratën për të furnizuar me vaksinën Sputnik-V Shqipërinë, ka reaguar sërish përfaqësia diplomatike e Kremlinit. “Na vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprim provokues.

Ambasada vetëm reagoi ndaj deklaratës së vetë kreut të Qeverisë së Shqipërisë në konferencën e tij për shtyp në 24 dhjetor, gjatë së cilës ai përmendi vështirësitë në sigurimin sa më shpejt të jetë e mundur e sasisë së nevojshme të vaksinave për popullatën e vendit” thuhet ndër të tjera në reagim.

Ndërkohë vaksina ruse kundër koronavirusit Sputnik V mbërrin në Serbi. Kontigjenti i parë prej 2 mijë e 400 dozash u dërgua në Institutin e Virologjisë “Torlak” në Beograd. Tashmë pritet autorizimi për përdorim nga autoritetet serbe që të nis vaksinimi në janar. Ndërkohë në Serbi nga 4 janari, vaksina e  Pfizer-BioNTech do të arrijë në nivel javor nga 20 mijë doza.