Rajoni

Politika e Kosovës në unison: Rrëmbimi i tre policëve, akt agresioni nga Serbia!

Politika në Prishtinë dënon atë që e quan “akti i rrëmbimit të tre pjesëtarëve të policisë kufitare nga forcat serbe në veri të vendit”, duke e cilësuar veprimin “agresion kundër Kosovës” dhe se “pas këtij akti, nuk mund të thuhet se në Kosovë është gjendje e zakonshme”.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mimoza Kusari – Lila, tha se ngjarjet e fundit kanë shqetësuar të gjithë deputetët.

Në veçanti, me aktin barbar të Serbisë që dhe një herë dëshmoi brutalitetin, agresivitetin e natyrisht edhe qëllimin e synimin e vazhdueshëm që ta destabilizojë sigurinë në Ballkan, duke rrëmbyer tre policë kufitarë të Republikës së Kosovës. Faktet e mbledhura nga vendi i ngjarjes tregojnë se policët kufitarë kanë qenë në territorin e Kosovës, kur janë rrëmbyer nga forcat serbe.

Subjektet opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i kanë bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti, të raportojë në Kuvend lidhur me rastin dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi:

Në këtë moment, përtej qëndrimeve dhe vlerësimeve të kujtdo, prioritet duhet të jetë kthimi i policëve tanë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre, duke iu garantuar shëndetin e sigurinë.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi:

Ky është një veprim agresioni, i dënueshëm politikisht dhe ndërkombëtarisht e është një veprim, i cili në asnjë rrethanë, nuk duhet të lejohet të përsëritet. Në emër të LDK-së, kërkoj nga Qeveria e Kosovës dhe nga partnerët ndërkombëtarë, që të bëjnë të pamundurën, që për një kohë sa më të shkurtër të bëhet kthimi i zyrtarëve policorë në Republikën e Kosovës dhe marrja e masave e veprimeve të tjera të duhura.

Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që policët kosovarë të lirohen menjëherë.

Ky Kuvend, në ballafaqim me Serbinë, nuk e njeh qasjen pushtet dhe opozitë. Ajo që ka ndodhur dje, ka qenë provokim i drejtpërdrejtë, dhe në të njëjtën kohë është një akt, i cili duhet të dënohet nga ky Kuvend.