Në Malin e Zi, qytetarët me të drejtë vote sot janë thirrur të zgjedhin presidentin e ri të vendit. Kryetari i shtetit, Milo Gjukanoviç garon për një tjetër mandat përballë gjashtë rivalëve, katër prej të cilëve nga kampi pro-serb. Qendrat e votimit u hapën në 07:00 të mëngjesit dhe rezultatet e para pritet të dalin në mesnatë.
Analistët politikë besojnë se emri i fituesit do të bëhet i ditur në balotazhin që mund të mbahet më 2 prill. Në vendin e vogël ballkanik, fqinj me Shqipërinë, 61-vjeçari Gjukanoviç ka mbajtur pozitat më të larta shtetërore në tre dekadat e fundit. Prej vitit 1991, ai ka qene gjashtë herë kryeministër, ndërsa në rast fitoreje do të siguronte mandatin e tretë si president i Malit të Zi. Ndërkaq, njihet për qëndrime pro-perëndimore dhe e shtyu vendin drejt anëtarësimit në NATO, më 2017-ën.
Në garën për president, kandidatët e tjerë janë: kreu i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç, Jakov Milatoviç nga Europa Tani, Aleksa Beçiç, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve, Goran Daniloviç, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar, Draginja Vuksanoviç Stankoviç nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Raduloviç, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në rrjetet sociale.
Mali i Zi numëron rreth 625 mijë banorë, ndërsa të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale kanë 542 mijë e 154 qytetarë referuar shifrave zyrtare. Rreth 30% e shtetasve në Mal të Zi identifikohen si serbë e duhet theksuar se shumë prej tyre e kanë kundërshtuar shpalljen e pavarësisë nga Serbia, në vitin 2006.
Po ashtu, më shumë se 70% e popullsisë mbështet fuqimisht Kishën Ortodokse Serbe me lidhje të forta në vend e që njihet për një histori të ndërhyrjes në punët e pavarura të Malit të Zi. Madje, drejtoi opozitën ndaj Partisë Demokratike të Socialistëve DPS, të Milo Gjukanoviçit në zgjedhjet e vitit 2020.
Kjo forcë politike pasardhëse e komunistëve të epokës jugosllave, vazhdimisht ka qeverisur nga viti 1991 deri më 2020-ën, ndërsa është akuzuar për korrupsion, nepotizëm e lidhje me krimin e organizuar.