Aktualitet Rajoni

Presidenti Meta në Prishtinë, thirrje Kosovës e Shqipërisë të koordinohen për Gjykatën Speciale!

Pas takimit në Prishtinë me Ilir Metën, i cili po zhvillon të fundit vizitë si President i Republikës së Shqipërisë, para se të dielën të mbyllë mandatin, presidentja Vjosa Osmani tha se “institucionet e Kosovës duhet të punojnë për të parë, nëse po respektohen të drejtat e njeriut për ish-drejtuesit e UÇK-së”. Ata mbahen në paraburgimin e Hagës, të dyshuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

E pyetur nëse do t’i takojë, Osmani u shpreh se “më të rëndësishme janë veprimet se vizitat”.

Unë besoj që do të ulemi dhe do të diskutojmë me institucionet, në radhë të parë se si mund të bëjmë çmos që ligjet që i ka miratuar vetë Kuvendi i Kosovës, amendamentet kushtetuese që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës, të zbatohen, por edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve në këtë rast.

Në Kosovë ka kritika të shumta ndaj Dhomave të Specializuara për zvarritjen e procesit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët prej gati dy vitesh gjenden në Hagë dhe ende nuk ka një datë për nisjen e gjyqit. Osmani foli edhe për rezolutën e miratuar dje nga Kuvendi i Shqipërisë e që nga Këshilli i Europës kërkon të bëjë përditësime sa i përket raportit të senatorit Dick Marty të vitit 2011. Në atë raport pretendohej se në Kosovë dhe Shqipëri pati trafikim organesh, gjatë luftës në Kosovë. Ky dokument u bë shkak për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë.

Dick Marty tentoi ta shtrembërojë të vërtetën e ndodhur në Kosovë, një luftë gjenocidale e Serbisë kundër popullit të Kosovës, por përgjigjen e ka marrë nga vetë prokurorët e Speciales.

Osmani iu referua një raporti të prokurorit amerikan, Clint Williamson, i cili më 2014-ën deklaroi se “gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për të tjera krime lufte”.

Kosova ka qenë viktimë e një regjimi gjenocidal dhe Serbia ka qenë agresore. Thashethemet e raportit të Këshillit të Evropës, kanë rënë në tokë para shumë vitesh. Natyrisht që në momentin që Kosova është anëtare në këtë organizatë do të ketë të drejta të plota sikurse edhe deputetët e tjerë që sot kanë të drejtë vote, të paraqesin amendamente dhe atëherë Kosova do të ketë mundësi që të bëjë propozime brenda vetë organizatës që e pati miratuar atë raport.

Presidenti Meta kërkoi që Prishtina dhe Tirana të koordinojnë veprimet sa i përket çështjes së Gjykatës Speciale.

Unë dua të shpreh bindjen time të plotë e të palëkundur, siç e kam pasur edhe në rastet e tjera kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët kanë fituar pafajësinë, se edhe ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi, si dhe drejtues të tjerë do të dinë ta mbrojnë me shumë dinjitet këtë luftë të drejtë të popullit të Kosovës. Kosova e Shqipëria duhet të bëjnë gjithçka në mbështetje të kësaj beteje.