Aktualitet

125 vota pro për raportin kundër Dick Marty-t në Kuvend!

Me unanimitet, Kuvendi i Shqipërisë votoi me 125 vota rezolutën e hartuar nga socialistët, me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Europës. Seanca u shënua nga shkëmbime akuzash maxhorancë-opozitë, rreth rolit të tyre në luftën e Kosovës dhe në raport me akuzat e ngritura ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri Rama vuri në dukje se përmes miratimit të dokumentit, “synohet kthimi i dinjitetit, popullit shqiptar dhe luftëtarëve të UÇK-së”.

Shqipëria do të merret me reputacionin e cënuar të popullit shqiptar e këtë do ta bëjë me dinjitet. Zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg. Ky proces hetimesh nuk ka sjellë asnjë drejtësi, por ka bërë viktima, figurat kryesore të UÇK-së.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim organesh. Një tjetër kërkesë është që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, të rishikojë rezolutën, e cila miraton raportin e senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e ngritura, duke i vlerësuar “të paargumentuara, të paprovuara e të pabazuara në prova e fakte”.

Përmes rezolutës, Kuvendi i Shqipërisë kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës “të realizojë një raport vijues dhe rishikim të Rezolutës 1782”, dokument që iu dha hov pretendimeve për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore në Kosovë e Shqipëri gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Raporti i hartuar nga Dick Marty, politikan zviceran dhe ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës më 2010-ën, u shndërrua në arsyen për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë, para të cilës ish-drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po gjykohen për krime lufte ndaj civilëve serbë e rivalëve politikë.

Raporti i Marty-t, i miratuar me një rezolutë nga Këshilli i Europës në vitin 2011, përmban pretendime se ish-krerët e UÇK-së janë përfshirë në trafik të organeve të qenieve njerëzore, gjatë luftës. Akuzat e ngritura në raport u hetuan nga një prokuror amerikan dhe rezultatet e tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara se trafikimi i organeve të qenieve njerëzore ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Pretendimet e raportit të Marty-t nuk janë materializuar as në aktakuzën e ngritur më 2020-ën kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, të cilët i mohojnë akuzat. Por, këto pretendime nuk janë hedhur poshtë nga Këshilli i Europës, ndërsa Dick Marty është vënë nën mbrojtjen e policisë zvicerane, pas zbulimit se strukturat serbe të sigurisë po planifikonin vrasjen e tij.