Rajoni

Presidenti serb, Vuçiç: Nuk takohem me Albin Kurtin në Bruksel!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të thirrur nga Brukseli. Sot për gazetarët në Beograd, tha:

Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë. Do të vendos nëse teknikisht të paraqitem në atë takim. Ky do të jetë një vendim strategjik, për të cilin do të informoj opinionin publik. Por, të flasim me Kurtin, jo!

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell ka ftuar Kurtin e Vuçiçin në një takim për të cilin thuhet se do të mbahet javën e ardhshme.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende nuk e ka vendosur nëse do të shkojë në takimin e Brukselit. Një ditë më parë iu tha mediave në Prishtinë se ekipi i tij do t’i përgjigjet ftesës së Borrellit në fillim të javës së ardhshme.

Vuçiç shtoi se takimi me kryeministrin e Kosovës ishte kushtëzuar me përmbushjen e kërkesave të Serbisë: tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komunat e Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu, si dhe lirimin e serbëve të arrestuar. Ai u shpreh se “Serbia u përpoq që në çdo mënyrë të ruajë paqen dhe progresin”.

Sidoqoftë, sado që ne u përpoqëm që të jemi një partner serioz i fuqive perëndimore, ne jemi në rrugën europiane, jua them sinqerisht. Ata kurrë nuk na kanë parë neve në atë mënyrë. Nëse nuk do të respektonim çdo kërkesë, ne do të ishim fajtorë, edhe pse nuk jemi fajtorë.

Presidenti serb vuri në dukje se shteti i tij do të mbetet në rrugën europiane për aq kohë sa ai udhëheq Serbinë. Por, vlerësoi se gjatë kësaj periudhe, Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së.

Ftesa nga Brukseli për takimin mes dy liderëve erdhi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Tensionet në këtë pjesë që banohet me shumicë serbe nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë.

Kryetarët e rinj të katër komunave në veri u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe. Tensionet kulmuan më 29 maj kur serbët u përlplasën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga konfrontimet u lënduan dhjetëra persona nga të dy palët.