Rajoni

Presidentja e Kosovës, Osmani: Ka perënduar përgjithmonë koha e tregtarëve të kufijve!

“Veriu i Kosovës, vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë”. Kështu deklaroi sot në Kuvend, presidentja Vjosa Osmani, në fjalimin e përvitshëm para deputetëve. Osmani sërish akuzoi Serbinë se “mbështet grupet kriminale” në veri.

Veriu vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës, e të cilat i shpreh përmes financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale-kriminale. Por, ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë. Institucionet janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë. Bandave kriminale nuk po u pëlqen vendosmëria e institucioneve për sundimin e ligjit. Ata do të përballen me drejtësinë për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe kërcënimit e frikësimit të qytetarëve.

Presidentja e cilësoi “ide hegjemoniste” paralajmërimin e Serbisë për t’i kërkuar KFOR-it që t’i kthejë trupat serbe në Kosovë.

Të gjithë jemi dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim, me përmasa agresioni, së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj [Aleksandar] Vuçiq, e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999.

Kryetarja e shtetit kërkoi që procesi i dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, të përqendrohet në njohje reciproke e që sipas saj, “do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme e afatgjatë”. Po ashtu, Osmani foli për politikën e jashtme duke theksuar se “në rrafshin diplomatik, shteti ka qenë aktiv”.

Në Serbi dhe jashtë saj, ka njerëz që kjo gjë i pengon. Më në fund, Kosova ka politikë të jashtme. Në Kosovë nuk ka më lobim për ndryshim kufijsh dhe nuk ka flirtime me Serbinë e Rusinë, me qëllim të interesave individuale. Nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Nagrono-Karabak, Abkhazi e Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar një herë e përgjithmonë!

Fjalimi u mbajt në të njëjtën ditë kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për dërgimin e 1 mijë trupave ushtarake e policore në Kosovë.