Rajoni

Vuçiç pyetje ndërkombëtarëve: Do i respektoni marrëveshjet që keni bërë?

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, sot pyeti partnerët perëndimorë “nëse do t’i respektojnë marrëveshjet që i kanë bërë vetë?”. Vuçiç i bëri komentet në një video-mesazh të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, në prag të takimit me të dërguarit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, Mirosllav Lajçak e Gabriel Escobar.

I kërkoj Perëndimit të tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumente të rëndësishme do të respektojë?

Shumica e dokumenteve që përmendi, i referohen Kosovës.

Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit… Kemi arritur në dokumentin e gjashtë, shumë të rëndësishëm të BE-së nga viti 2003, dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Në Marrëveshjen e Selanikut ekziston një klauzolë që thotë se do të mbështetet zbatimi i Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara. Në vijim të dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE të së ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është se, a do t’i respektojnë dokumentet që i kanë sjellë vetë?

Siç pritej, liderët shtetërorë sot nënshkruan aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian. Në dokument, firmat i hodhën presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti. Ky zhvillim shënohet në mesin e tensioneve në veriun e Kosovës me shumicë serbe e ku serbët lokalë mbajnë barrikada në rrugë, duke bllokuar akset që çojnë për në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak.

Kryetarja e shtetit, Osmani e cilësoi “historik” siglimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun europian.

Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme. Aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Europian është një hap drejt përmbushjes së ambicieve europiane të Kosovës.

Dorëzimi i aplikimit pritet të bëhet nesër në Pragë, kryeqytetin e Çekisë, vendit që aktualisht kryeson presidencën e bllokut europian. Presidentja Osmani shtoi se “për Kosovën, asnjëherë nuk ka patur alternativë tjetër përveç BE-së”.