Aktualitet

Problematika me hartën e re gjyqësore, avokatët kërkojnë që ministri Manja të negociojë!

Kreu i Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj mbështet bojkotin e avokatëve që kundërshtojnë hartën e re gjyqësore, por shprehu rezerva për mospjesëmarrjen në dhënien e masave të sigurimit personal. Sipas tij, avokatët duhet të protestojnë para KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë. Për ministrin e Drejtësisë, Vishaj beson se do e shtensiononte situatën nëse shërben si negociator duke pritur në një mbledhje kryetarët e Dhomave Vendore të Avokatisë për problematikat. Për avokatët e pranishëm dje në seanca gjyqësore, paralajmëroi masa, deri në heqje të licensës.

Eshtë një situatë shumë e rëndë, nuk mund ta toleroj por edhe ministri i Drejtësisë që është kolegu ynë, duhet të mbajë qëndrim! Nuk ka ndodhur që avokatët të bojkotojnë masat e sigurimit. Njëri duhet të ulet. Shoqata t’i drejtohet ministrit për të çtensionuar situatat e avokatëve. Sot ne do bëjmë kërkesë që ministri të presë kryetarët e dhomave vendore. Nuk ka asnjë problem që kryetarët e dhomave të paraqesin problemet e tyre që të ketë një negocim për hartën e re gjyqësore. Ministri është profesionist dhe e kupton shumë mirë çfarë do të thotë moszhvillimi i seancave pa praninë e avokatëve, ndaj besoj se do të jetë ai faktor mes dhomës së avokatëve dhe KLGJ. Unë kam pasur mendim kundër për masat e sigurimit. Janë emergjente dhe qeveria nuk duhet të heshtë sepse gjendja është alarmante. Ka shumë në paraburgim që prezumojnë se janë të pafajshëm që një masë sigurimi do t’i çonte drejt lirisë. Ne duhet të protestojmë tek KLGJ, tek Ministria e Drejtësisë, jo duke vajtur në plazh!

Në të njëjtën linjë, Partia Demokratike kërkon që të thërrasë në dëgjesë ministrin e Drejtësisë, KLGJ, KLP dhe Dhomën Kombëtare të Avokatëve për problematikën e hartës e re gjyqësore. Në fillim të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, deputetja Dhurata Çupi u shpreh:

Kërkojmë të dimë datën kur do të zhvillohet seanca dëgjimore me KLGJ, KLP, ministrin e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Siç dihet sot qytetarët nuk përfaqësohen në procese gjyqësore pasi Dhoma e Avokatisë nuk merr pjesë në gjyqe. Eshtë çështje sensitive dhe duhet të njihen qytetarët me datën e dëgjesës dhe marrjen e masave.

Pas kërkesës së PD-së, kryetarja e komisionit Klotilda Bushka tha kjo dëgjesë do të rakordohet që të zhvillohet në datën 11 ose 12 korrik.