Rajoni

Propozimi i ri për targat serbe, BE-ja pret përgjigjen e Prishtinës!

Bashkimi Europian është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim lidhur me çështjen e targave serbe, që dje i dërguari i posaçëm për Dialogun, Mirosllav Lajçak, ia prezantoi kryenegociatorit të Prishtinës, Besnik Bislimi në Bruksel. Kështu thanë për Radion Evropa e Lirë burime diplomatike në BE, por pa dhënë detaje për propozimin.

Fjala është lidhur me propozimin për të zgjidhur urgjentisht çështjen e zbatimit të vendimit për ndërrimin e targave të paligjshme të Serbisë, që të shmangen tensionet në veri të Kosovës. Sot në Prishtinë, Besnik Bislimi deklaroi:

Ka elementë që i diskutuan për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordësim. Nuk di se çfarë do të ndodhë më 21 nëntor, jemi në bisedime.

Nga fillimi i muajit, qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa serbe, në RKS, Republika e Kosovës. Faza e dytë do të zbatohet nga 21 nëntori dhe parashikon gjoba deri në 150 euro. Serbia këmbëngul në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në rast se pala kosovare sot jep përgjigje për këtë propozim dhe në varësi nga ajo përgjigje, i dërguari i BE-së për Dialogun, Lajçak, mund të vizitojë Beogradin për të biseduar edhe me Serbinë.

Burime të BE-së përsëritën atë që më herët theksoi përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, se gjithsesi duhet të arrihet zgjidhje para datës 21 nëntor. Një prej mundësive që përmenden nga burimet diplomatike është të zgjatet me 10 muaj afati kohor për ndërrimin e targave, por sipas të njëjtave burime, pala kosovare ka kërkuar nga BE-ja sqarime për qëndrimin e Unionit pasi të skadojë një afat i tillë.

BE-ja nuk e vë në dyshim të drejtën e Kosovës për të zëvendësuar targat e automjeteve, por deri tani ka kërkuar që kjo të bëhet duke respektuar afatet kohore për të cilat BE-ja mendon se janë edhe dhjetë muaj.

Gjatë një diskutimi me temë “Raporti i Zgjerimit: Çfarë ka aty për Kosovën?”, të organizuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Bislimi tha në Prishtinë se “të gjithë hapat që janë duke u ndërmarrë në raport me situatën e krijuar në komunat veriore, synojnë të vendosin ligjin, por mundësisht pa krijuar tensione”. Plani i qeverisë Kurti parashikon që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në të Kosovës deri më 21 prill të vitit 2023.