Sport

Rikthehet Euro 2020, starton faza e eliminimit direkt!

Sot rikthehet Europiani me fazën me eliminim direkt e me rinisjen e ndeshjeve të Euro 2020-ës rikthehet Pasó, emisioni sportiv që ju shoqëron çdo mbrëmje në orarin 20:00-21:00 në Top Albania Radio, me Denis Dyrnjanë e Albana Ruçin dhe të ftuarit e ndryshëm.

Kampionati ka arritur në fazën e 1/8-ave, kryqëzime që pasojnë rezultatet e takimeve në grup që përfunduan të mërkurën me përballjet Gjermani-Hungari e Portugali-Francë dhe që të dyja u mbyllën barazim 2-2.

Kualifikimin e siguruan të parat e çdo grupi: Italia, Belgjika, Holanda, Anglia, Suedia e Franca, po ashtu të dytat: Uellsi, Danimarka, Austria, Kroacia, Spanja e Gjermania krahas katër prej të tretave më të mira: Zvicër, Republika Çeke, Ukrainë e Portugali.

Gjithçka nis në Amsterdam me takimin Uells-Danimarkë në orën 18:00 e po sot, në orën 21:00 luhet Itali-Austri, në Londër.

Nesër në të njëjtat orare, Holanda përballet me Republikën Çeke në Budapest e në Sevilje, Belgjika me Portugalinë, ndeshje që pritet të jetë spektakolare nisur nga elementët e të dy ekipeve.

Në konferencën për shtyp para takimit, sulmuesi belg Romelu Lukaku foli për kundërshtarin, Cristiano Ronaldo:

Ai fitoi titullin e golashënuesit më të mirë në Serinë A por ne fituam Kampionatin. Ishte veçanërisht e rëndësishme të fitoja atë titull dhe ky ishte qëllimi im. Tek Cristiano kam zili driblimin e gjuajtjen ndërsa mendoj se ai e ka zili forcën, shënjestrën time dhe lojën e skuadrës tonë.

Sa i përket ndeshjeve të tjera të 1/8-ave, të hënën në 18:00 luajnë Kroaci-Spanjë e në 21:00, Francë-Zvicër. Ndërkaq, të martën e 29 qershorit spikat Angli-Gjermani në orën 18:00 e Suedi-Ukrainë në 21:00.