Firence do të hapë qendrën e parë në Itali të dedikuar luftës kundër varësisë nga rrjetet sociale dhe teknologjia. Projekti, i quajtur “Discover – Fuori dal Guscio”, synon të ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë nga 10 deri në 25 vjeç të përdorin në mënyrë më të shëndetshme telefonat dhe internetin.
Qendra nuk do të jetë një klinikë, por një hapësirë ku të rinjtë do të marrin pjesë në aktivitete pa telefona, lojëra, punëtori krijuese dhe takime në grup. Gjithashtu, do të ofrohet mbështetje edhe për prindërit, me këshilla se si të menaxhojnë përdorimin e teknologjisë nga fëmijët e tyre.
Nisma lindi pasi ekspertët vunë re se gjithnjë e më shumë të rinj kalojnë orë të tëra në rrjetet sociale, shpesh pa e kuptuar sa kohë po shpenzojnë. Qendra pritet të hapë dyert pas verës dhe synon të shërbejë si model edhe për qytete të tjera në Itali.