Celebrities Music Showbiz

Rikthehet Kanye West, prezanton albumin “Donda” në një event pa fjalë!

Në një event të çuditshëm, pa fjalë, Kanye West prezantoi albumin e 10-të muzikor, “Donda”, sipas emrit të nënës së ndjerë.

44-vjeçari zgjodhi Mercedes-Benz Stadium të Atlantës. Me maskë gjysmëtransparente dhe i veshur me komplet të kuq e me këpucë portokalli të linjës së tij Jeezy, të pranishmit e panë si përshkonte pjesën qendrore të stadiumit, pa mikrofon.

Disa herë ecte dhe gjithashtu gjunjëzohej apo kërcente lart. Në sfond dëgjoheshin pjesë nga albumi. “Donda” ofron një vështrim në martesën e shkatërruar me Kim Kardashian si dhe përmban bashkëpunime me Jay-Z e Travis Scott. Krahas tyre, në album nuk mungojnë as Pop Smoke, Pusha T, Baby Keem, Lil Baby, Lil Durk, etj.

Në stadium, reperi u paraqit me dy orë vonesë dhe shkelte në një terren që për këtë rast ishte i gjithi i bardhë e të krijonte përshtypjen e një piste patinazhi.

Në rresht të parë, qëndronin Kim me dy nga 4 fëmijët, North e Saint, si dhe Khloe Kardashian.

Mercedes-Benz Stadium ka një kapacitet prej 71 mijë vendesh e siç bën të ditur faqja “Showbiz 411”, Kanye dhuroi 5 mijë bileta për studentë në zonën e Atlantës ndërsa të tjerë paguan qindra dollarë.

Ndryshe nga koncertet e mëparshme, kësaj radhe preferoi të linte muzikën të fliste. Spektatorët dëgjonin në heshtje e në përfundim të pjesëve mes gospel-it, vibracioneve hip hop e zërit të Kanye-t në autotune, duartrokisnin. Në fond edhe zëri i nënës së ndjerë, Dondës, e cila në mënyrë të përsëritur thonte: “Asnjëherë mos e braktis familjen tënde!”. Një tjetër moment prekës erdhi me këngën kushtuar dështimit të martesës me Kim Kardashian.

Nuk mungoi “No Child Left Behind”, në respekt të Sha’Carri Richardson, atletes amerikane në garat 100 dhe 200 metra, e cila u përjashtua nga Olimpiada e Tokios për shkak se në një test rezultoi se kishte konsumuar marijuanë, çka shkaktoi shumë debate.

“Donda” pason publikimin e albumit “Jesus is king” në 2019-ën, që u vlerësua me Grammy si Best Contemporary Christian Album dhe hyri në histori me një debutim në vend të parë në klasifikimet Rap Album, Gospel Album e Billboard 200, duke ia kaluar grupit legjendar Beatles.