Tech

Roboti që mund të rendisë mbi 500 lloje mbeturinash në pak sekonda!

Robotët tanimë po marrin përsipër edhe punën e klasifikimit të plehrave dhe shndërrimit të tyre në burime të vlefshme. Këtë po e bëjnë, jo çdo robot, por robotë inteligjentë që përdorin inteligjencën artificiale. Ata po përdoren për të identifikuar dhe ndarë lloje të ndryshme mbetjesh me shpejtësi dhe saktësi të jashtëzakonshme.

Këta robotë janë ideja e ZenRobotics, një lider global në riciklimin e zgjuar robotik. Kështu, kompania ka lançuar së fundmi gjeneratën e saj të katërt të robotëve të klasifikimit të mbetjeve, të quajtur ZenRobotics 4.0, të cilët kanë veçori të reja dhe AI të përmirësuar për të optimizuar dhe përmirësuar efikasitetin e operacioneve të klasifikimit të mbetjeve. Ndër tjerash, bëhet fjalë për një “mbledhës të mbeturinave” që mund të rendis mbi 500 lloje plehrash në pak sekonda.

Ndërkaq, roboti ‘Optimus II’ i prezantuar nga Tesla po cilësohet si një nga teknologjitë robotike më të avancuara në botë. Roboti ka pësuar disa ndryshime që kur u shfaq publikisht 16 muaj më parë. Përveç aftësisë për të punuar 30 herë më shpejt se robotët e tjerë, Optimus mund të kryejë edhe detyra delikate si gatimi i vezëve.

Kjo aftësi nënkupton që puna kryhet më lehtë, më shpejtë, madje ndihmon edhe për të shmangur lëndimet dhe djegiet. Gjithashtu, ndjeshmëria e prekjes dhe aftësia për të manipuluar me objektet, e vendos robotin e ri shumë larg të tjerëve. Ky zbulim përfshin një hap të madh për Tesla-n, e cila synon të jetë lider në përdorimin e robotikës, dhe të ketë efikasitet në të gjitha fushat e punës.