Bota

Ron DeSantis i jep fund fushatës, mbështet ish-presidentin Trump në SHBA!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kandidati republikan për president, Ron DeSantis, i cili dikur konsiderohej si personi me shanset më të mira për të mundur ish-presidentin Donald Trump, i dha fund fushatës në një tërheqje relativisht të hershme e që nxjerr në pah pozitën e fuqishme brenda partisë të ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë.

DeSantis e bëri njoftimin në një video të publikuar në platformën X, gjatë së cilës tha edhe se do të mbështesë Trump-in. Këtë njoftim, ai e bëri dy ditë para zgjedhjeve paraprake në New Hampshire, ku sipas sondazheve rezultoi se kishte një përqindje të vogël mbështetjeje.

Republikani 45 vjeçar ishte parë gjerësisht si një pretendent kryesor për emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2024 dhe pasues i natyrshëm i Donald Trump-it dhe kjo falë stilit të tij luftarak e po ashtu pikëpamjeve thellësisht konservatore.

Në fillim të vitit të kaluar, ai kryesoi në disa sondazhe ndaj ish-presidentit Trump. Por, mbështetja ndaj guvernatorit të Floridës ka rënë prej disa muajsh, për shkak të një strategjie të gabuar gjatë fushatës, pamundësisë për të krijuar një lidhje me votuesit dhe mbështetjes së palëkundur të bazës republikane ndaj Trump-it.

Ndërprerja e fushatës nga ana e DeSantisit do të thotë që ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tani mbetet republikania e fundit në garë, e cila ka një shans edhe pse  jo shumë realist, për t’i mohuar ish-presidentit Trump emërimin republikan.

Fituesi i garës për emërimin republikan do të përballet me presidentin aktual Joe Biden, kandidatin e mundshëm të demokratëve, në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor. Biden nuk e ka fshehur synimin për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkaq, rezulton se më shumë se 70% e republikanëve mbështesin Donald Trump-in, sipas pjesës më të madhe të sondazheve. Ron DeSantis nuk arriti kurrë të bindte shumicën e përkrahësve të Trump-it se përse ai ishte një alternativë më e mirë, ndërsa republikanët që nuk mbështesin ish-presidentin i ndanë votat mes kandidatëve të tjerë të shumtë. Në veçanti, ish-ambasadorja Nikki Haley është shfaqur si kandidatja e preferuar mes republikanëve të moderuar amerikanë në Shtetet e Bashkuara.