Food & Drink

Rusi-Francë, në luftë për…

Shpërthen lufta e shampanjës mes Rusisë e Francës. Luftën e hapi presidenti rus, Vladimir Putin, i cili firmosi një ligj që penalizon statusin simbol në emërtimin e pijes më të famshme në botë. Shampanja që eksportohet në Rusi nuk do të quhet më kështu por thjesht spumante. Për francezët kjo është fyerje e duhen marrë masa.

Të indinjuar, francezët vendosën të ndalojnë eksportin në Rusi të Moet&Chandon, Veuve Cliquot e Dom Perignon. Nuk bëhet fjalë të ndryshohet emri nga shampanjë në spumante. Vendimi për ndalimin e eksportit nuk diskutohet ndonëse i përkohshëm, në pritje të gjetjes së zgjidhjes. Por përveçse parimore kjo është edhe çështje burokratike aspak e thjeshtë pasi kërkon ricertifikimin e pijeve e një etiketë të re.

Fjala shampanjë jo vetëm është identifikuese për francezët por gjithashtu i referohet prejardhjes nga një vend i përcaktuar origjine, rajoni Champagne. Ndonëse dikur në Bashkimin Sovjetik, shampanja përshkruhej si verë e bardhë e gazuar shkumëzuese, kësaj here tingëllon si provokim.

Autoritetet ruse thonë se mes 20 importuesve, vetëm Moet-Hennessy kundërshtoi dhe ironizuan duke deklaruar se “nuk pritet grusht shteti apo vetëvrasje në mesin e elitës ruse”.

Por nuk e mendon në të njëjtën mënyrë Anna Chernyshova, konsulente për tregun e verërave, e specializuar në krijimin e kantinave me shishe të veçanta për klientë të përzgjedhur.

Për France Presse deklaroi:

Telefoni nuk më pushon, klientët kërkojnë të kuptojë se çfarë mund të bëjnë!

Lufta e shampanjës Rusi-Francë sapo ka nisur dhe prej saj mund të përfitojnë prodhimet Made in Italy. Sipas vlerësimeve, në 3-mujorin e parë të vitit, u shënua rritje rekord me 37% më shumë se në të njëjtën periudhë të 2020-ës, në eksportin e spumantes italiane në Rusi. Në vendin e Putinit, më të vlerësuarit janë Prosecco e Asti.