Bota

PSG triumfoi në UEFA Champions League, por Franca “u ndez” nga dhuna!

Festimet për triumfin e Paris Saint-Germain në finalen e UEFA Champions League kundër Arsenalit u shndërruan në kaos në rrugët e Francës, me përplasje të shumta mes tifozëve e policisë, që çuan në mbi 400 arrestime, pjesa më e madhe në Paris.

Autoritetet angazhuan mijëra efektivë policie për të parandaluar trazirat, por në disa zona të kryeqytetit francez, situata doli jashtë kontrollit.

Makina dhe biçikleta u përfshinë nga flakët. Pati rrugë të dëmtuara, fishekzjarre e flakadanë të ndezur, si dhe vandalizëm ndaj bizneseve.

Në bulevardin e famshëm Champs-Élysées, mijëra tifozë festuan fitoren e PSG-së, ndërsa policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Autoritetet raportuan se gjatë trazirave u dëmtuan gjashtë automjete, dy biznese dhe një stacion autobusi. Gjithashtu, shtatë policë mbetën të plagosur.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, i cilësoi incidentet si “absolutisht të papranueshme”, ndërsa tensionet kanë rikthyer në vëmendje problemin e dhunës që shpesh shoqëron festimet futbollistike në Francë.

Liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, reagoi në rrjetet sociale:

Vetëm në Francë, fitorja e një klubi futbolli shndërrohet në trazira.

Pavarësisht incidenteve, PSG pritet ta zhvillojë sot paradën e fitores në Paris, me lojtarët që do të përshkojnë zonën pranë Kullës Eiffel dhe do të priten nga presidenti Emmanuel Macron.

Kujtojmë se edhe triumfi evropian i PSG-së, një vit më parë, u shoqërua me ngjarje tragjike, ku humbën jetën dy persona, mes tyre një 17-vjeçar.