Botë e Çuditshme Celebrities Film & Tv

Së shpejti filmi i parë i xhiruar në hapësirë, Rusia mund SHBA-të?!

Xhirimi i filmit të parë në orbitë do të jetë një përvojë që do të pasurojë njohuritë kinematografike dhe hapësinore. Regjisori rus i filmit, Klim Shipenko tha në një konferencë për shtyp se:

Është një përvojë më vete. Unë nuk do të kem se kujt t’i kërkoj këshilla. Nuk do të kem kameraman për ta pyetur se si të xhiroj nën dritën e dritares së mjetit hapësinor.

38 vjeçari dhe aktorja Yulia Peressild, do të nisen nga kozmodromi rus “Baikonur” në Kazakistan, për në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), ku do të kenë 12 ditë për të xhiruar filmin e tyre, para se të kthehen sërish në Tokë. Filmi me metrazh të gjatë, i titulluar paraprakisht “Vyzov” (“Sfida” ose “Thirrja”, në rusisht), do të shfaqë një mjeke të dërguar në hapësirë ​​për të shpëtuar jetën e një kozmonauti në vështirësi.

Ky mision filmik në orbitë u njoftua në shtator, disa muaj pasi NASA zbuloi një projekt filmik me aktorin e njohur amerikan Tom Cruise. Administratori i atëhershëm i NASA -s, Jim Bridenstine u shpreh se:

Ne kemi nevojë për media popullore për të frymëzuar një brez të ri inxhinierësh dhe shkencëtarësh për t’i bërë realitet planet ambicioze të NASA-s.

Postimi në Twitter pasoi një raport se Cruise po punonte me Musk, themeluesin e SpaceX, për të bërë atë që do të ishte filmi i parë artistik i xhiruar në hapësirë.

Aktorja Youlia Peressild, e cila, së bashku me regjisorin, ndoqi një stërvitje të rreptë për t’u mësuar në veçanti me mungesën e peshës, vlerësoi se profesionet e aktorit dhe kozmonautit ishin “dy gjëra të kundërta”.

Do të shohim, nëse do të mund t’i kombinojë të dyja.

Xhirimi i filmit do të kërkojë përmbushjen e disa sfidave teknike. Shipenko do të duhet të kujdeset vetë për kamerën, zërin dhe dritën, si edhe të merret me ngushticën relative të segmentit rus të ISS. Tre kozmonautë profesionistë të vendosur në ISS do të luajnë gjithashtu në film. Shipenko, gjithashtu e përshkroi përgatitjen katër mujore për fluturimin si të vështirë.

Sigurisht, ne nuk mund të bënim shumë gjëra në përpjekjen e parë dhe nganjëherë edhe në një përpjekje të tretë, por është normale.

Me Rusinë që mbetet prapa në garën globale të hapësirës dhe përballet me konkurrencë të ashpër nga sipërmarrjet më inovative dhe me burime të mira në SHBA dhe Kinë, nisma është lavdëruar nga Kremlini. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se:

Hapësira është ajo ku ne u bëmë pionierë, ku pavarësisht gjithçkaje ne mbajmë një pozicion mjaft të sigurt.

Muajin e kaluar, SpaceX përfundoi misionin e parë civil në hapësirë, duke marrë katër astronautë në një orbitë tre-ditore rreth Tokës. Udhëtimi pasoi misionet e Richard Branson dhe themeluesit të “Amazon”, Jeff Bezos, i cili përfundoi një mision të ngjashëm ditë më vonë. Pritet që këtë muaj, aktori William Shatner të fluturojë në hapësirë.