Aktualitet

Seanca për imunitetin e Berishës, kaos në sallë/Shtyhen me karrige gardistët!

Deputetë të opozitës janë mbledhur në hyrje të Kuvendit, me qëllim që të hyjnë në seancën plenare, por Garda e Republikës është bërë gardh për të mos lejuar hyrjen për në sallën e seancës plenare të  atyre që janë përjashtuar. Deputeti Asllan Dogjani, llogariti kohën e penalizimit:

Ua lënë gardistëve për ta interpretuar. Data 21 thotë 21 deri më sot. Këta kanë frikë nga opozita, sepse vjedhin gjithë ditën. Eshtë një vend që drejtohet vetëm nga një njeri. Janë kapur të gjitha pushtetet. Një pasiguri e madhe, njerëzit ikin.

Vetëm në Shqipëri ka ndodhur që kriminelët fusnin miq vetëm për të takuar një drejtor policie, ndërsa sot drejtorët e policisë, shefat e komisariateve fusin miq për të takuar kriminelin. Pra, fusin miq që të takojnë kriminelin, se krimineli të mbaron punë. Një vend mafioz që qeveriset nga mafia, nga grupet e organizuara kriminale. E çfarë presin, që shqiptarët, të rrinë të jetojnë këtu?!

Ndërkohë, paralelisht po bëhet grumbullimi i karrigeve në Kuvend nga deputetët e opozitës që hynë në sallë ku sot votohet për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, për t’i hapur rrugë arrestimit të tij lidhur me aferën Partizani. Flamur Noka shtyu disa gardistë me karrige, ndërsa Albana Vokshi nuk i lejoi ta kontrollonin.

Vokshi: Kush je ti more? Kalo pra tek skaneri!

Noka: Hiqi duart, ta fluturoj atje. Meqë doni të bëni kamikazin, bëjeni!

Noka: Bjere karrigen!

Vokshi: S’ju vjen turp!

Noka: Ta fluturoj atje karrigen, ta shohësh ti!